Olta Xhaçka i ka dorëzuar sot detyrën e Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshit.
Gjatë fjalës së saj, Xhaçka tha se është e lumtur që stafetën po ia kalon një miku të mirë.
“Sot jam e lumtur që ia kaloj stafetën një kolegu një miku të mirë dhe jam i sigurt që do jetë efikas dhe punëmbaruar ashtu siç ka qenë në drejtimin e çdo institucioni. Suksese i dashur Niko!”– u shpreh Xhaçka, e cila më herët mori zyrtarisht detyrën si ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Gjatë fjalës së saj, Xhaçka shprehu falenderime dhe për ekipin me të cilin ka punuar gjatë viteve të saj në këtë detyrë.
“FA janë familja ime, ku kam jo thjesht kolegë e bashkëpunëtorë, por edhe shumë miq të mire. Falënderoj çdo kuadro e çdo efektiv e çdo punonjës të kësaj ministrie. Falënderoj shefin e Shtabit, gjeneral Bajramin, që ka qenë një bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm.
Falënderoj shumë Petro Koçin, kolegun e mikun e mirë, të përkushtuar e të papërtuar. Jam e bindur që Petro do të mbështesë po njësoj Nikon ashtu si edhe mua për modernizimin e FA-ve. Ndihem mirë që së bashku ia kemi dalë të bëjmë punë vërtet të rëndësishme.
Sot FA-të janë një institucion që gëzon respektin dhe admirimin e shqiptarëve. Pas tërmetit e pandemisë qytetarët shqiptarë kishin sigurinë që nuk do të ishin kurrë vetëm. Me reformat dhe ngritjen e AKMC kemi kontribuar për sigurinë e mirëqenien e qytetarëve.
Dua t’ju falënderoj të gjithëve. Do të kishte qenë e pamundur po të mos kishim punuar aq fort. Djemtë dhe vajzat tona në misione meritojnë mirënjohjen më të thellë.”– tha Xhaçka.
Më tej, ajo foli për bazën ajrore të Kuçovës që sipas saj do të përfundojë sëshpejti.
“Së shpejti do të përfundojë baza ajrore e Kuçovës që do të transformojë rëndësinë strategjike të Shqipërisë. Ende i paplotësuar, por i mirëpritur ishte edhe projekti për bazën detare të NATO-s në Shqipëri shpresëplotë që edhe ky projekt do të bëhet realitet.”– shtoi ministrja.