Detaje të reja zbulohen lidhur me gjendjen e personave të plagosur nga shpërthimi që ndodhi ditën e djeshme në Ferizaj të Kosovës.
Sipas medieve në Kosovë, 15 persona po trajtohen në Qendrën Emergjente të QKUK-së, si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në një prej lokaleve në qytetin e Ferizajt.
Anesteziologu Shaqir Uka ka folur për mediet lidhur me gjendjen e tyre.
“Dje pas ngjarjes në një restorant në qytetin e Ferizaj, një numër i madh i të lënduarve është sjellë në qendrën emergjente. Ai numër është përmbi 10-të. 14-të prej tyre është dashtë që për shkak të lëndimeve që kanë marrë të trajtohen në sallën emergjente, nga ekipi i kirurgjisë plastike. Një ka pasur thyerje të ekstremitetit të poshtëm, është dashur që t’i nënshtrohet një intervenimi në klinikën e ortopedisë.
Pesë që kanë qenë në gjendje më të rëndë janë sjellë në mjekimin intensiv. Një në kardiokirurgji ndërsa shtatë të tjerë po marrin trajtim në klinikën e kirurgjisë plastike.”- ka thënë Uka për programin T7.
Si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit dje u lënduan 43 persona, por një pjesë e të lënduarve që kanë qenë në gjendje më të rëndë janë dërguar në Prishtinë për trajtim më të specializuar.