Policia e Lezhës thotë se ka identifikuar të dyshuarin për ngjarjen e rëndë që ndodhi mesnatën e kaluar, ku u qëllua me armë zjarri ndaj 25-vjeçarit Eduart Pica.
Shërbimet e Policisë shpallën në kërkim autorin e dyshuar me inicialet E.SH, ndërsa kanë sekuestruar dhe mjetin tip “Benz”, me të cilin ka lëvizur ai.
“Policia e Lezhës, menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur në lagjen “Nënë Tereza”, Lezhë, organizoi punën dhe falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta bëri të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit E. Sh., banues në Lezhë.
Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me drejtues shtetasin E. P”, njofton Policia.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën e kaluar. Strukturat hetimore të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.