Partia Demokratike ka fituar kontrollin e Senatit dhe të Kongresit në përgjithësi – me dy fitore në shtetin e Xhorxhias.
Kandidatët demokratë Raphael Warnock dhe Jon Ossoff mundën republikanët në detyrë Kelly Loeffler dhe David Perdue.
Kështu demokratët do të kontrollojnë Senatin, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Shtëpinë e Bardhë për herë të parë që nga viti 2009.
Siç shkruan BBC, rreth katër milion qytetarë dolën të votojnë në balotazh. Rezultati është një goditje e rëndë për presidentin republikan në ikje Donald Trump.
Zgjedhjet në Xhorxhia u përsëritën sepse asnjë nga kandidatët në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit nuk arriti 50% e nevojshëm për fitoren sipas rregullave të shtetit.
Njëri prej të zgjedhurve, Raphael Warnock, një pastor Baptist, bëhet senatori i parë zezak për Xhorxhian.
Çfarë do të thotë kjo?
Me rezultatin në Xhorxhia, demokratët dhe republikanët tani do të kenë secili nga 50 vende në Senat, dhoma e sipërme e Kongresit.
Sidoqoftë, zëvendëspresidentja demokrate e ardhshme, Kamala Harris, do të kryesojë Senatin sapo ajo të marrë detyrën dhe do të ketë votën e thyerjes së barazimit.
Kjo i jep administratës së Bidenit një shans më të madh për të arritur axhendën e saj për çështje të tilla si kujdesi shëndetësor dhe ndryshimi i klimës.
Senati gjithashtu ka fuqinë të miratojë ose refuzojë të nominuarit e Bidenit për postet e kabinetit dhe gjyqësorit.