Vendosni fjalën kyçe....

Meta thirrje qeverisë: Merrni masa të menjëhershme për përmbytjet që rrezikojnë vendin


Presidenti Meta i ka bërë thirrje qeverisë që të marrë në konsideratë paralajmërimet serioze të bëra nga Instituti i Gjeoshkencave, lidhur me situatën në vend të shkaktuar nga moti i paqëndrueshëm e shirat e dendura.

Në një njoftim të ditës së djeshmee, IGJEUM, paralajmëronte për përmbytje në disa qarqe të vendit për ditët në vijim. Kreu i shtetit shkruan se qeveria, ministritë e bashkitë në zonat më rrezikshmëri të lartë duhet të përmbushin detyrimet që kanë ndaj qytetarëve.

Meta thekson se banorë duhen informuar mbi rreziqet si dhe duhen furnizuar me ushqime për familjet e blegtorinë. Ai po kështu bën thirrje për vënien në punë të hidrovoreve si dhe të strukturave të kërkim-shpëtimit e mjeteve ajrore e ujore për çdo rast.

“Prej ditësh, Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka dhënë paralajmërimin për një përkeqësim potencial të situatës hidrometeorologjike në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në ultësirën veriperëndimore, si dhe në zonat nga Shkodra në Fier.

Ndërkohë, stacionet hidrologjike në Kaskadën e lumit Drin, bëjnë me dije se për shkak të intesitetit të reshjeve, priten shkarkime të mëdha nga HEC-et dhe për pasojë parashikohet të ketë përmbytje në zonën e Shkodrës.

Në këto kushte, i bëj thirrje Qeverisë, ministrive përgjegjëse, prefekturave dhe bashkive në zonat me rrezikshmëri të lartë përmbytjeje, të marrin në konsideratë këto paralajmërime serioze dhe të garantojnë urgjentisht:

– Informimin me transparencë dhe në kohën e duhur të popullatës, që jeton në zonat me rrezik potencial përmbytjeje, me qëllim garantimin e jetës dhe minimizimin e pasojave në prona e bagëti;

– Garantimin me rezerva të mjaftueshme ushqimore për popullatën dhe blektorinë;

– Vendosjen e hidrovoreve në regjim gatishmërie pune, me kapacitet të plotë;

– Vënien në gatishmëri të strukturave të koordinimit, menaxhimit dhe atyre operacionale, me qëllim marrjen e të gjitha masave parandaluese për minimizimin e riskut në zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut;

– Gatishmërinë e strukturave operacionale, grupeve të kërkim-shpëtimit, mjeteve ajrore dhe mjeteve lundruese,  për garantimin në çdo kohë të operacioneve efektive, në çdo zonë, që rrezikohet nga përmbytjet;

– Marrjen e masave për kalueshmërinë normale në të gjitha akset rrugore, veçanërisht në Veri, Verilindje dhe Juglindje, që rrezikohen të bllokohen nga reshjet e dëborës dhe rrëshqitjet e dheut apo gurëve.

Mbrojtja e shëndetit, jetës dhe pronës së çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë është një detyrim kushtetues, që duhet përmbushur me përgjegjshmëri maksimale.” – shkruan Meta në Facebook.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *