Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile është mbledhur mbrëmjen e sotme pas situatës së rëndë të shkaktuar nga reshjet e dendura që kanë sjellë edhe përmbytje në disa zona.
Në mbledhjen e sotme Zv.Kryeministri Erion Braçe, bëri një bilanc të situatës, e cila prej tre ditësh paraqitet kaotike. Ai theksoi se reshjet me intensitet të lartë që ranë në datën gjashtë ishin kritike për vendin, por punimi më së miri i hidrovoreve në të gjithë vendin ka sjellë një stabilizim të situatës.
Zv.kryeministri theksoi po ashtu se edhe nata e sotme do të jetë e vështirë, por grupet e punës do të jenë në gatishmëri.
Po ashtu ai sulmoi edhe opozitën, që sipas tij në këto ditë të vështira për vendin del në terren për fushatë elektorale dhe jo për punë.
“IGJEUM ka njoftuar për një situatë të vështirë në datën 6. Ministrja e Bujqësisë ka qenë prezent në të gjithë territorin, ka kontrolluar gjendjen e gatishmërisë së hidrovoreve dhe të gjithë këto të fundit kanë qenë në gatishmëri dhe kanë punuar me kapacitet të plotë.
Drejtoria e Përgjithshmë e rrugëve ka qenë në gatishmëri maksimale dhe sot të gjithë akset rrugore janë të kalueshme dhe në gjendje mjaftë të mirë. Me Ministrinë e Transportit dhe koordinim me OSHEE-në gjatë katër ditëve të fundit nuk ka munguar në asnjë moment energjia në hidrovore.
Arsyeja që sot që flasim kemi një situatë të kontrolluar plotësisht në kaskadën e Drinit. Këtyre agjencive në asnjë moment nuk i ka munguar mbështetja financiare për të mbajtur në funksion këto që sapo përmendëm.
Sot, dita ka qenë edhe më e vështirë për shkak të reshjeve të shumta, në të gjitha rajonet nuk ka asnjë rajon që mos ketë pasur mbi 100 milimetra reshje, por sot është dhënë efekti, veçanërisht në zona tradicionalisht të goditura nga reshtjet e shumta.
Puna që është kryer gjatë verës ka sjellë minimizimin e reshjeve masive në të gjithë territorin e vendit.
Ne nuk kemi qenë në fushatë elektorale në territor siç të tjerë në mënyrë të papërgjegjshme vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë, por kemi qenë për punë.
Nata e sotme do të jetë e vështirë, gatishmëria në hirdrovore do jetë 24/24, siç ka qenë edhe më parë, ndërkohë që energjia do të jetë në çdo moment.
Edhe më shumë njerëz do të shtohen në gatishmëri dhe shpresojmë që situatën të vazhdojmë ta mbajmë në kontroll”-deklaroi Braçe.