Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se ai kishte besuar për një kohë të gjatë se Presidenti Donald Trump nuk ishte i aftë për detyrën, por se i takon Kongresit të vendosë nëse do të ngrejë për së dyti akuza për shkarkimin e presidentit.
Zoti Biden u tha gazetarëve në një konferencë shtypi se ai ishte i përqendruar te frenimi i pandemisë COVID-19, te vaksinimi i shpejtë dhe te forcimi i ekonomisë, shkruan VOA.
“Ajo që Kongresi do të vendosë të bëjë, kjo u takon atyre por … ne do të na duhet të jemi gati të fillojmë menjëherë punën”, tha ai, kur u pyet në lidhje me legjislacionin që po përgatitet nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve për të ngritur akuza kundër Presidentit Trump për rolin e tij në nxitjen e dhunës ditën e mërkurë në Kapitol.
Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve planifikojnë të paraqesin të hënën akuzat që mund të çojnë për herë të dytë në një proces për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, thanë dy burime që kishin dijeni për këtë çështje.
Një kopje e dokumentit që po qarkullon midis anëtarëve të Kongresit akuzon zotin Trump për “nxitje të dhunës kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara” në përpjekje për të përmbysur humbjen ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Në akuzat që përmban dokumenti përmendet gjithashtu biseda telefonike që zoti Trump pati gjatë javës së kaluar me Sekretarin e Shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger, në të cilën i kërkoi atij të “gjente” vota të mjaftueshme për të përmbysur fitoren e zotit Biden në atë shtet.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e quajti të premten Presidentin Trump “të çekuilibruar” dhe tha se Kongresi duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur amerikanët, edhe pse mandati i zotit Trump përfundon më 20 janar kur presidenti i zgjedhur Biden të bëjë betimin.
Ajo gjithashtu tha se kishte folur me gjeneralin më të lartë të vendit, kreun e Shtatmadhorisë Mark Milley, në lidhje me çështjen që zoti Trump të mos lejohet të fillojë ndonjë konflikt ose të ndërmarrë ndonjë sulm me armë bërthamore, siç u shpreh ajo.
Deri më sot, nuk ka patur asnjë rast që ndaj një presidenti amerikan të ndërmerren dy herë procedura shkarkimi.
Por është e paqartë nëse ligjvënësit do të jenë në gjendje ta heqin zotin Trump nga posti, pasi akuzat që mund të ngrihen në Dhomën e Përfaqësuesve do të përfundonin në një gjyq në Senat, ku republikanët e tij kanë mjaft kontroll.
Një numër i madh i ligjvënësve demokratë dhe disa republikanë kanë shprehur mbështetje për largimin e zotit Trump nga pushteti ose për ndëshkimin e veprimeve të tij.
Por pas komenteve të zonjës Pelosi, udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy la të kuptohet se ai nuk e mbështet ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit. Ai tha se kjo do ta përçante më shumë vendin.
Zoti Biden tha se fakti që Presidenti Trump nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e tij më 20 janar “është një gjë e mirë.”
Të premten Presidenti Trump shkroi në Tëitter: “Për të gjithë ata që kanë kërkuar të dinë, unë nuk do të marr pjesë në inaugurim më 20 Janar.” Ai nuk e ka njohur humbjen dhe nuk e ka uruar zotin Biden për fitoren.
Vendimi i Presidentit Trump shënon një shkëputje nga tradita amerikane, sipas të cilës presidenti që largohet merr pjesë në inaugurimin e presidentit të ri.
Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjes nëse nënpresidenti Mike Pence do të merrte pjesë në inaugurim, presidenti i zgjedhur Biden tha se zoti Pence “është i mirëseardhur,” por shtoi se nuk ka biseduar me të.