Vendosni fjalën kyçe....

Banesa, toka e rrugë të përmbytura, si paraqitet situata në vend pas shirave të dendur (Video)


Që prej disa ditësh vendi është përfshirë nga reshje të dendura shiu. Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët nga IGJEUM (Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit e Mjedisit), nga data 6 janar deri më 11 janar vendi pritet të goditet nga reshje të dendura shiu duke rrezikur përmbytje.

Pas përmbytjeve të djeshme në Fushë Krujë e Vlorë, situata është bërë kritike 24 orët e fundit në disa zona të vendit, kryesisht në veriperëndim.

Përmbytje masive ka pasur në Fushë Krujë, Lezhë, Shkodër, Kurbin. Në Shkodër, mijëra hektarë tokë janë nën ujë ndërsa disa rrugë paraqesin vështirësi në qarkullim.

Edhe në zonën e Lezhës, ka pasur vërshime ujërash dhe në fshatrat përreth tokat bujqësore janë nën ujë. Brenda qytetit, në zonën e spitalit ka pasur rrëshqitje dheu oranë banesave duke çuar në evakuimin e tyre për të shmangur pasojat në jetën e banorëve.

Sipas policisë disa ura në zonën e Lezhës e Shkodrës janë përmbytur e kanë pësuar dëmtimet strukturore. Urat e prekura janë ato në Kallmet, Dajç e Gjadër. 

Tejet e goditur paraqitet Fushë Kruja me fshatrat përreth. Lumi Ishëm nga dalë nga shtrati dhe në fshatrat Derven, Murqinë, Mallkuç, Bilaj e Ishëm janë përballur me përmbytje.

Përveç tokave bujqësore, nën ujë kanë përfunduar dhjetëra banesa. Në Durrës ka pasur përmbytje të disa rrugëve ndërsa në zonën e urës së Dajlanit situata është paraqitur kritike për shkak të shpërthimit të pompave të ujit aty.

Lumi Shkumbin në Shqipërinë e mesme është fryrë tej mase nga reshjet por nuk raportohen ende dëme të shkaktuara prej tij.

Në digat e hidrocentraleve të Vaut të Dejës e Ulzës ka nisur shkarkimi i ujërave. KESH-i ka hapur portat për të shmangur përmbytjen e hidrocentraleve megjithatë sipas drejtuesve të korporatës, shkarkimet janë të kontrolluara dhe nuk paraqesin rrezik për përmbytje.

Ditën e djeshme presidenti Meta i bëri thirrje qeverisë që të marrë seriozisht raportin e IGJEUM dhe të marrë të gjitha masat për të parandaluar pasojat serioze nga përmbytjet.

Edhe për ditët në vijim, janë parashikuar reshje të dendura shiu në mbarë vendin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *