Vendosni fjalën kyçe....

Morën pjesë në mësymjen në Kapitol Hill, pushohen nga puna disa nga pjesëmarrësit


Disa nga protestuesit që sulmuan Kapitolin u pushuan të enjten nga puna, një zhvillim që pasoi publikimin e identitetit të tyre në internet nga autoritetet që hetojnë krimet në median sociale.

Departamenti i Policisë për Uashingtonin publikoi foto të atyre personave që morën pjesë në trazirat e së mërkurës dhe njoftoi se mund të ngrejë akuza ndaj tyre. Gjashtëdhjetë e tetë persona u arrestuan pasi një turmë e zemëruar njerëzish mësyu brenda ndërtesën, duke thyer xhama, dëmtuar pajisje e duke vjedhur orendi.

FBI-ja gjithashtu i kërkoi publikut ndihmë për të identifikuar protestuesit, një thirrje që krijoi shqetësim në mediat sociale nën dritën e një mbulimi gjerë të ngjarjes, përfshirë selfie të postuara nga vetë pjesëmarrësit si dhe video të mbështetësve të Presidentit Donald Trump në hotelet e zonës para sulmit.

Disa individë që ishin fotografuar më parë në tubimet e zotit Trump dhe mbështetësit e lëvizjes së teorisë konspirative QAnon u identifikuan menjëherë.

“Le t’i emërtojmë e t’i turpërojmë!”, shkruhej në një postim në Twitter kushtuar demaskimit të pjesëmarrësve në trazira.

Një nga njerëzit që shfaqej në një nga fotot e policisë së Uashigtonit mbante leje-hyrjen e punës në qafë ndërsa ishte brenda Kapitolit. Pudhënësit e tij e pushuan atë nga puna, shkruan VOA.

“Ndërsa ne mbështesim të drejtën e të gjithë punonjësve për ushtrim paqësor e të ligjshëm të fjalës së lirë, çdo punonjës që demonstron sjellje të rrezikshme ndaj shëndetin dhe sigurisë së të tjerëve, nuk do të ketë më mundësi punësimi tek Navistar Direct Marketing”, tha kompania në një deklaratë, pa e përmendur emrin e personit në fjalë.

Libby Andrews, një agjente e pasurive të patundshme nga Çikago, u pushua nga puna dhe faqja e saj në internet u hoq, edhe pse siç tha ajo gjatë një interviste, nuk kishte bërë asgjë të gabuar dhe nuk kishte hyrë në Kapitol.

“Unë jam 56-vjeç dhe imcake, e nuk isha atje për të shkaktuar telashe. Isha atje për të mbështetur presidentin tim”, tha zonja Andrews.

Ajo shtoi se ishte ngjitur në shkallët e Kapitolit, por pa u ndeshur me forcat e sigurisë dhe se kishte postuar selfi nga skena, në Instagram, si dhe kishte kënduar himnin kombëtar e më pas ishte larguar.

Rick Saccone, një ndihmës profesor në kolegjin Saint Vincent College në Latrobe të Pensilvanisë dha dorëheqjen pasi kolegji kishte parë një video që ai kishte postuar në Facebook nga skena.

“Si rezultat i këtij hetimi, kemi pranuar letrën e dorëheqjes së doktor Saccone-s, e cila hyn në fuqi menjëherë”, thuhej në një deklaratë të kolegjit.

I pyetur në telefon zoti Saccone e konfirmoi dorëheqjen e tij por tha se ai nuk kishte parë akte dhune dhe se kurrë nuk e kishte kapërcyer pragun e Kapitolit. Zoti Saccone tha se e kishte fshirë videon e cila nuk shfaqej më në faqen e tij prej së enjtes.

Paul Davis, një avokat i kompanisë së sigurimeve Goosehead në Westlake të Teksasit, përdori një llogari të tij në median sociale për të treguar pjesëmarrjen e tij në Kapitol, duke thënë se ndaj tij ishte hedhur gazlotsjellës.

Një zëdhënës i firmës Goosehead-it konfirmoi se zoti Davis ishte pushuar nga puna.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *