Kryeministri Edi Rama sot ndodhet në Fier nga ku ka folur për situatën e krijuar në vend nga përmbytjet.
Ai tha se gjëra të tilla ndodhin edhe në vende si Parisi e Londra, por falenderon Zotin që për momentin nuk ka patur pasoja të rënda.
“Problemet e djeshme në zonën Shkodër-Lezhë faktikisht sot duket që ka funksionuar gjithë sistemi i kanalizimeve sepse uji është tërhequr. Sepse është si puna e lavamanit. Kur i fut super presion ai mbushet. Sfida është se lumi i egër të bën hatanë. Lavdi Zotit për momentin jemi në rregull. Tani nëqoftëse ndodh një Apokaliops edhe ndodh! Sepse ndodh mes Parisit, mes Gjermanisë, mes Londrës”, tha Rama nga vizita në Çerven të Fierit, ku u shfaq në krah të kryebashkiakut Armando Subashi.
Rama thotë se testin e reshjeve intensive, qeveria e tij po e kalon me sukses, “falë punës së madhe të bërë disa vjet rresht në pastrimin e kanaleve të bllokuara me dekada, sistemimin e magjistraleve të tyre me skarpate betoni, si edhe punës së përbashkët me Forcat e Armatosura në forcimin e në ngritjen e kuotës së argjinaturave”.
Sipas tij në kohë të tjera këto reshje do kishin sjellë përmbytje masive banesash, mbytje bagëtish dhe kërcënim serioz për jetën e njerëzve.