Pas zonës së Shirgjit në Shkodër, kryedemokrati Lulzim Basha ka vizituar edhe Obotin për të parë nga afër situatën e përmbytjeve.
Ai ishte i shoqëruar edhe nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi dhe drejtues të tjerë lokalë të PD-së.
Basha përsëriti thirrjen e tij për qeverinë, që të lërë mënjanë çdo gjë tjetër edhe të bëjë gjithçka për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve, në veçanti atyre që janë në nevojë ekstreme si Oboti.
“Është e lehtë për të qenë i hidhëruar me këtë që po ndodh dhe unë të kuptoj shumë mirë. Prandaj jemi afër jush sot. Edhe me kryetaren e bashkisë kam komunikuar që prej fillimit, se dihej që ju goditeni të parët. Natyrisht përgjegjësinë për t’ju ndihmuar e ka shteti, po dhe ne me çfarë kemi mundësi do t’ju ndihmojmë me gjithçka. Kryetarja e bashkisë më ka komunikuar gjithë masat që ka marrë. Shpesoj që prania këtu e këtyre efektivëve të vihet në përdorim për ata që do të kenë nevojë.
Nga ana tjetër duhet të bëjmë gjithçka dhe ne t’ju gjendemi pranë me çdo mënyrë, me çdo formë të mundshme. Kjo është situatë jashtëzakonisht e rëndë, nga COVID në përmbytje, jetë njerëzish të humbura, ekonomi e shkatërruar.
Padiskutim mund të ishte menaxhuar më mirë, padiskutim mund të ishin parandaluar disa gjëra, po tani që situata po vazhdon të precipitojë, duhen marrë të gjitha masat për të qenë afër njerëzve. Kështu që siç i keni pasur dhe i keni në krahë njerëzit tanë. Edhe unë sot ndodhem këtu për të qenë pranë jush e për t’ju thënë me gjithçka që kemi, ne, unë, Partia Demokratike, opozita, do bëjmë gjithçka të jemi pranë jush në çdo formë dhe mënyrë që mundemi. Por duhet ta theksoj që detyra kryesore sot është e shtetit, të lërë mënjanë çdo gjë tjetër edhe të bëjë gjithçka për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve, në veçanti atyre që janë në nevojë ekstremi, në veçanti Oboti, ana e malit është padiskutim ai që goditet i pari, ai që vuan i pari, ai që ka vuajtur më shpesh dhe që akoma nuk ka marrë dëmshpërblimet e situatave të kaluara.” – tha Basha nga Oboti.