Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar sot spitalin rajonal të Durrësit, nga ku ka nisur shpërndarja e 36 autoambulancave të reja, që do të shpërndahen në të gjithë spitalet e vendit.
“Me flotën e 36 autoambulancave ne kemi vendosur që të rrisim kapacitetet e Tiranës, gjithashtu edhe të spitaleve rajonale dhe bashkiake. Spitali i parë ku shpërndahet flota është spitali i Durrësit, paralelisht do të vijojmë me spitalet e tjera rajonale, nga Kukësi deri në Sarandë, ku me këto autoambulanca, të cilat kanë të njëjtin standard, jo vetëm do të rrisim kapacitetet, por edhe rinovojmë kapacitetet aty ku kemi patur pika të dobëta.”– tha Manastirliu.
Mes të tjerash, ministrja shtoi se spitalet rajonale janë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e COVID-19.
Ajo foli dhe për procesin e vaksinimit që pritet të nisë këtë muaj.
“Ajo çka pritet tani është fillimi i vaksinimit dhe ne e kemi thënë do të fillojmë me ata të cilët janë në vijën e parë të kësaj lufte, me mjekët, me infermierët në spitalet COVID, me punonjësit e urgjencave, të cilët janë në frontin e parë dhe po vijojnë këtë betejë me këtë armik të padukshëm”- tha Manastirliu.