Një grabitje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Korçë, ku një person është vjedhur nën kërcënimin e armës.
Ngjarja ka ndodhur para banesës që qytetarit i cili punon si kambist, Shefqet Muço.
Policia ka dhënë informacion zyrtar lidhur me ngjarjen dhe thotë se ka vënë në pranga një prej autorëve të dyshuar, i cili mbeti i lënduar nga përplasja fizike me kambistin dhe efektivët.
Ndërkohë dy autorët e tjerë u larguan me një automjet bashkë me paratë që i morën kambistit.
TË DHËNAT E POLICISË
Më datë 11.01.2021, rreth orës 06:10, në lagjen nr. 1, në rrugën e “Bilbilave”, Korçë, tre persona dyshohet se nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur me dhunë shtetasit Sh. M., me profesion kambist, një sasi lekësh para banesës së tij.
Reagimi i menjëhershëm i Policisë, bëri të mundur ndalimin e njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, i cili ndodhet aktualisht për ndihmë mjekësore në Spitalin e Korçës, pasi ka marrë lëndime gjatë përplasjes fizike me kambistin dhe forcat e policisë, ku ka tentuar të shmangë kapjen nga ana e tyre.
Ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë, të cilët kanë mundur të largohen me shpejtësi nga vendngjarja me një automjet.
Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli, po bëhet krehja e zonës si edhe po kryhen veprime të tjera hetimore, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.