Vendosni fjalën kyçe....

Meta nga Sukthi: Qytetarët e përmbytur duan shërbime, jo propagandë


Qytetarët duan shërbime e jo propagandë, ka thënë sot presidenti Meta pas një vizite në disa fshatra të Sukthit, të goditura nga përmbytjet.

Kreu i shtetit shkruan se banorët e këtyre zonave përveç pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë Covid-19, po vuajnë edhe nga dëmet e motit e mungesës së ndihmës së shtetit.

“Qytetarët duan shërbime, jo propagandë! Sot isha pranë banorëve të njësisë administrative Sukth, në fshatrat Vadardhë, Rrushkull e Hamallaj, të përmbytura si pasojë e rreshjeve të ditëve të fundit, të cilët veç pasojave të tërmetit dhe pandemisë, po vuajnë nga dëmet e motit të keq dhe mungesa e ndihmës shtetërore. U informova prej tyre se dalja e lumit Erzen nga shtrati, ka izoluar me dhjetëra familje, shumë prej të cilave me prezencë shqetësuese uji, ka përmbytur mijëra hektarë tokë bujqësore, ka dëmtuar argjinaturat, si dhe ka bllokuar të gjitha kanalet kulluese dhe tumbinot. I papranueshëm është fakti se këto familje po vuajnë prej ditësh mungesën e ujit të pijshëm dhe rezervave ushqimore, për shkak se asnjë autoritet shtetëror nuk i ka paralajmëruar në kohë për të marrë masat e nevojshme.” – shkruan Meta në Facebook.

Ai shton më tej se banorët që ka takuar i kanë shprehur problemin e sigurimit të ushqimit për gjënë e gjallë. Meta bën thirrje që në situatën e vështirë ku ndodhet vendi, menaxhimi i mirë i situatës është kritik dhe i duhet thënë prioritet absolut nga qeveria.

Sipas kreut të shtetit, fatura e përmbytjeve nuk duhet të rëndojë mbi qytetarët, të cilët kanë nevojë urgjente për ushqime, ujë të pijshëm e medikamente.

“Problematikë ka edhe në sigurimin e ushqimit për kafshët, duke vënë në rrezik dhjetëra krerë bagëti, burim i vetëm i të ardhurave të tyre. Për shkak të pasojave të tërmetit, të COVID-19, krizës ekonomike të shkaktuar prej tyre dhe rëndimit të gjendjes nga përmbytjet, është emergjente menaxhimi më i mirë i situatës, duke patur prioritet absolut mbrojtjen e shëndetit, jetës dhe pronave të qytetarëve të rrezikuar, të cilëve duhet t’u garantohen ushqime, ujë të pijshëm dhe medikamente mjekësore.

Është e trishtë dhe e papranueshme për Shqipërinë e vitit 2021 kur dëgjon nga goja e kuksianëve të vendosur në Vadardhë, se janë të detyruar të shesin bagëtitë për të investuar privatisht në ngritjen e argjinaturave për t’u mbrojtur nga përmbytjet. Fatura e përmbytjeve nuk duhet të rëndojë mbi qytetarët, të cilët kanë sot nevojë emergjente për shërbime dhe jo për propagandë!” – mbyll reagimin Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *