Ministrja austriake e Punës, Christine Aschbacher, ka dhënë dorëheqjen pas akuzave se tema e diplomës së saj në universitet është një plagjiaturë.
Megjithëse këmbënguli se punimi i saj nuk ka qenë plagjiaturë, ajo tha se po tërhiqej për të mbrojtur familjen e saj.
Aschbacher, e cila është një anëtare e Partisë Popullore Konservatore Austriake që udhëheq koalicionin qeveritar, akuzohet se ka kopjuar të paktën një të pestën e disertacionit të saj të doktoratës nga burime të tjera, si dhe pjesë të tezës së saj të diplomës. Akuzat janë bërë nga akademiku Stefan Weber i cili është i specializuar në zbulimin e plagjiaturës.
Por ministrja thotë se e kishte shkruar disertacionin dhe tezën e diplomës duke u mbështetur në njohuritë dhe besimine saj.
“Armiqësia, agjitacioni politik dhe fyerjet fatkeqësisht po shkarkohen jo vetëm mbi mua, por edhe mbi fëmijët e mi, dhe me një forcë të padurueshme.”– është shprehur ajo, citon Reuters. “Nuk mund të lejoj që kjo të vazhdojë për të mbrojtur familjen time. Për këtë arsye, unë jam duke dhënë dorëheqjen nga zyra. ”
Kancelari Sebastian Kurz e falënderoi Aschbacher për punën e saj dhe tha se e pranon vendimin e saj. Të dielën ai emëroi si ministrin e ri të Punës, studiuesin ekonomik, Martin Kocher .