Vendosni fjalën kyçe....

Si e nisi me nxitim vaksinimin Rama?


Në datën 1 janar, kryeministri Rama njoftoi se pas përpjekjesh të vështira kishte mundur të siguronte 500 mijë vaksina kundër Covid-19 të kompanisë Pfizer.

Teksa nuk i ka kursyer kritikat ndaj vendeve të BE-së për mungesë solidariteti lidhur me vaksinat, kreu i qeverisë tha në ditët në vijim se fushata e vaksinimit pritej të niste javën e tretë të janarit.

Krejt papritur, në një konferencë për shtyp mëngjesin e sotëm, Rama i shoqëruar nga ministrja Manastirliu njoftoi se fushata e vaksinimit do niste ditën e sotme në orën 15:00.

Gjatë konferencës për shtyp, kryeministri tha se 900 dozat e para ishin dhuratë e një vendi të BE-së, por pa e zbuluar ‘bamirësin’ anonim, që sipas Ramës kishte kërkuar vetë që të mos zbulohej.

“Pavarësisht angazhimit me Covax, nëse do të qëndronim në pritje te tyre do ishim akoma duke pritur dhe nuk dihet ende sot se sa do zgjaste kjo pritje. Prandaj jemi angazhuar dhe me kanale te tjera. Kontaktuam ne Neë York drejtpërdrejt me ‘Pfizer’ dhe njëkohësisht kemi hapur 4 kanale të tjera bilaterale, me 4 vende dhe vaksinimi sot është një marrëveshje me një nga këto vende, që nuk jam i autorizuar ta them sepse ashtu e kërkojnë. Por meqë është thënë se ky vend është Greqi, ju them që jo, nuk është Greqia. Sot e kemi të siguruara rrugën e vaksinës me doza të parashikuara muaj pas muaji duke filluar nga java e tretë e janarit me Pfizer.” – tha ndë të tjera Rama gjatë konferencës për shtyp.

Vaksinimi i beftë i nisur kohë para afatit të paralajmëruar nga kryeministri Rama është paraprirë nga dy ngjarje, njëra në vend që është në zhvillim e sipër e tjetra jashtë vendit.

Prej disa ditësh Shqipëria përballet nga shira të dendura që kanë shkaktuar përmbytje masive në disa pjesë të vendit, mungesë energjie elektrike, bllokim rrugësh e çarje aksesh rrugore nga rrëshqitjet e dheut.

Ngjarja tjetër që bëri jo pak bujë ishin pamjet e disa ministrave të qeverisë Rama, shefit të zyrës së shtypit Endri Fuga e nënkryetarit të bashkisë, Mazniku, që darkojnë në një restorant luksoz në Dubai nën shoqëron e biznesmenit Samir Mane.

Publikimi i pamjeve të darkës për shtatë palë qejfe nën shoqërinë e Manes në Dubai, shkaktoi reagime të ashpra nga publiku në vend.

Pas kësaj, mediat pranë kryeministrit Rama u përpoqën të krahasojnë darkën në Dubai të ministrave të Ramës e nënkryetarit të Bashkisë nën shoqërinë e Manes me një takim mes presidentit Meta e kryebashkiakes së Shkodrës Ademi.

Të njëjtat media publikuan menjëherë sqarimin e qeverisë për darkën në Dubai ndërsa një ditë në pas vetë Rama, tha se që prej ardhjes së tij, ministrat e kishin të ndaluar të bënin pushime jashtë vendit.

Sot e gjitha kulmoi me operacionin e beftë të vaksinimit në stadium, me rreth 900 dozat e dhuruara nga një vend ‘europian’ anonim.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *