Vendosni fjalën kyçe....

Sot nis vaksinimi kundër Covid-19 në Shqipëri, çfarë dimë deri tani


Sot pasdite do të nisë procesi i vaksinimit kundër Covid-19 në vendin tonë. Dimë vendin (Stadiumi Air Albania), dimë se çfarë vaksine do të merret (ajo e kompanisë Pfizer), por nuk dimë se sa janë dozat që aktualisht kanë mbërritur në Shqipëri, nuk e dimë as se sa është numri i personave që pritet të vaksinohen në ditën e parë.

Kryeministri Edi Rama lajmëroi mbrëmjen e kaluar në mënyrë të papritur se “Nesër nisim vaksinimin anti-Covid19”.

Siç duket ai kaloi dhe pritshmëritë e veta, pasi më parë kishte njoftuar se vaksinimi do të niste në javën e tretë të janarit.

Mirëpo Rama nuk dha më shumë detaje dhe as nuk zbuloi se sa ishte numri i dozave të vaksinës që kishte mbërritur në vendin tonë.

Në fakt më 1 janar kreu i qeverisë dha lajmin se kishte arritur marrëveshjen me kompaninë Pfizer për 500 mijë vaksina kundër Covid-19. Mirëpo mbërritja e këtyre dozave pritet të bëhet pjesë-pjesë.

Të parët që do vaksinohen do jenë punonjësit e sektorit të shëndetësisë e më pas kategoritë e tjera të rrezikuara.

Vaksinimi do të bëhet në mjediset e stadiumit ‘Air Albania’, që është përshtatur për këtë gjë prej ditësh. Aty janë krijuar 60 qendra të posaçme për pacientët e parë që do të vaksinohen.

Doza e dytë e vaksinës duhet të merret përsëri pas 21 ditësh./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *