Vendosni fjalën kyçe....

Basha sulmon qeverinë për darkën në Dubai, fokuson debatin tek çmimi i biftekut


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka dalë në një deklaratë për mediet nga selia blu, ku ka folur për situatën e krijuar nga përmbytjet në vend.

Basha e akuzoi qeverinë se nuk po mendon për qytetarët në këtë ditë të vështirë, ndërsa përmendi darkën e bujshme në një restorant në Dubai të ministrave të kabinetit qeveritar.

Ndërsa nuk e përmendi prezencën e biznesmenit Samir Mane, Basha u përqendrua tek faturat e darkës duke thënë se ministrat e Ramës darkojnë me fatura të kripura, ku 1 mijë euro bën vetëm një biftek.

 “Kjo është shumë e rrezikshme, shkatërrimtare për shoqërinë. Dy ditë më parë u bë publike se si kur e gjithë Shqipëria ishte e përmbytur, kur mijëra familje ishin në ujë e mijëra të tjera janë në çadra, ministrat e Ramës po darkonin në restorantit më të shtrenjtë. 1 mijë dollarë bifteku. Ndërkohë që njerëzit po shtyhen drejt krizës më të thellë ekonomike të këtyre 30 viteve. Ata nuk kanë turp, Rama nuk ka turp, por mesa duket para kanë shumë. Po dje u publikua një raport që tregon se qeveria e Ramës ka shumëfishuar pasurinë. Anëtarët e kabinetit të Ramës kanë 3-fishuar pasurinë.

Kjo është një qeveri që mendon vetëm për veten e saj, nuk iu intereson qytetari, nuk e kanë në listë. Kjo është arsyeja pse qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit, ndërsa ministrat darkojnë me fatura të kripura. Kanë harruar se cili është misioni i qeverisë, të zgjidhë problemet e qytetarëve, jo t’i rëndojë ato. Të dashur qytetarë është koha për ndryshim. Është koha që qeveritarët që abuzojnë të shkojnë në vendin e tyre. Është koha për këtë ndryshim dhe ndryshimin do ta sjellim ne”, tha Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *