Media italiane ka zbardhur të tjera hollësi lidhur me arratisjen e Moisi Habilaj i cili ishte në arrest shtëpie në vendin fqinj para se të zhdukej pa nam e nishan. Sipas Meridionews, kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri, po vuante dënimin në një shtëpi në San Michele di Ganzaria.
Që nga e shtuna e kaluar, telefoni i tij ka qenë fikur dhe i paarritshëm. Misteri i fundit në lidhje me trafikantin shqiptar të drogës, Moisi Habilaj, kalon nga një apartament i vogël në San Michele di Ganzaria në provincën e Catania, në atë që për dekada ka qenë territori i shefit të Cosa Nostra, Ciccio La Rocca.
Habilajt, sipas medias italiane nuk i ishte vënë byzylyku elektronik teksa vuante dënimin në shtëpi. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 15 vjet e 5 muaj, e gjykimi ishte konfirmuar edhe në shkallën e dytë dhjetorin e kaluar. Megjithatë, mbi këtë histori nuk ka asnjë lajm zyrtar nga forcat e policisë italiane, shkruan Meridionews.
Fillimisht në derën e Habilajt kanë trokitur agjentët e policisë e më pas karabinierët. Nga stacioni i policisë Caltagirone ishin dërguar aty disa agjentë në ndihmë të ekipit të policisë së Catanias.
Avokatët që e mbrojnë Habilajn përjashtojnë ekzekutimin e një urdhri ekstraktimi në Shqipëri, një vend në të cilin ai është përballur me një hetim paralel me atë të gjyqësorit Italian, vijon media italiane. 43-vjeçari Habilaj, para se të shkonte në San Michele di Ganzaria, ishte burgosur në burgun Bicocca.
Pastaj është transferuar në qytetin e Calatinas, ku ai ishte mysafir i një të afërmi nga ana e babait për pak më shumë se një muaj. Më pas ka kaluar në një apartament të ri, gjithmonë në territorin e San Michele di Ganzaria dhe me lëvizjet e vetme të lejuara, ato te dentisti.
Media italiane thekson në shkrimin e saj se Habilaj është kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri. Edhe ky i fundit përfundoi i hetuar nga zyra e prokurorit të Katanias në dosjen mbi bandën e drejtuar nga 43-vjeçari, i cili u bë i arratisur.
Prokuroria për Krime të Rënda e ka dënuar Tahirin me tre vjet me akuzën e abuzimit të pushtetit, por e ka shpallur të pafajshëm për përfshirjen e tij të pretenduar në botën e trafikut të drogës. Procedimi, megjithatë, nuk është mbyllur ende dhe dëshmia e Habilaj mund të jetë vendimtare, mbyll artikullin Meridionews.