Mjekët e infermierët e spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ kanë reaguar pas publikimit të denoncimit të një qytetareje, sipas së cilës i kishte paguar 8 milionë lekë të vjetra një sanitareje të spitalit që shërben për trajtimin e të prekurve nga Covid-19, për t’i shpëtuar të ëmën.
Personeli shëndetësor i spitalit, shkruan se ndjehet u lënduar dhe i befasuar nga veprimi korruptiv i sanitares.
Po kështu në reagimin zyrtar thuhet se ky akt nuk mund të njollosë punën e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor dhe bën thirrje për hetimin deri në fund të rastit.
Denoncimi u bë ditën e djeshme ndërsa sanitarja Tire Alldërvishi është ndaluar nga policia ditën e sotme.
“Gjithë personeli shëndetësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” ndjehet tejet i lënduar, befasuar nga veprimi korruptiv, ç’njerëzor i sanitares me inicialet T.A dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv i bërë publik në emisionin investigativ ‘STOP’. Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Personeli shëndetësor i spitalit duke u distancuar nga ky veprim do të vazhdojë të ofroj me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Mbas shkarkimit nga puna e sanitares i kërkojmë autoriteteve kompetente të kryejnë hetimin deri në fund të këtij rasti. Personeli i shërbimit shëndetësor ‘Shefqet Ndroqi.’” – thuhet në reagimin e spitalit “Shefqet Ndroqi”.