Vendosni fjalën kyçe....

Rënia e turizmit ka ulur të ardhurat nga shitja e shërbimeve në BE


Rënia e turizmit e ka përkeqësuar bilancin e tregtisë së shërbimeve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave të Eurostat, për tremujorin e tretë 2020, të ardhurat neto në shërbime nga vendet e Bashkimit Europian ishin 300 milionë euro, nga 400 milionë euro që raportoheshin për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për 11 muajt e vitit të kaluar, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri ranë me rreth 60%.

Në tërësinë e vet, bilanci i llogarisë korrente me Bashkimin Europian ngelet deficitar, me rreth 200 milionë euro, po aq sa në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia e të ardhurave nga turizmi dhe nga shërbimet e tjera është kompensuar nga një ecuri më e ngadaltë e importeve, çka ka bërë që deficiti me vendet e BE-së të ngelet në nivele të ngjashme edhe në tremujorin e tretë 2020. Vendet e Ballkanit Perëndimor përgjithësisht kanë një bilanc tregtar deficitar me Bashkimin Europian.

Për tremujorin e tretë, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina e kishin këtë bilanc në nivele të ngjashme me Shqipërisë, Kosova e kishte në nivelin e 100 milionë eurove, ndërsa rezultatin më të mirë e kishte Maqedonia e Veriut, me një bilanc pranë zeros. E kundërta ndodh në segmentin e shërbimeve, ku përgjithësisht rajoni ynë ka një bilanc pozitiv me BE-në, kryesisht falë turizmit, por edhe shfrytëzimit të kostos së ulët të punës, përmes regjimit të përpunimit aktiv të mallrave ose transferimit të shërbimeve mbështetëse.

Kriza e lidhur me pandeminë, deri tani ka dhënë një ndikim negative në bilancin e pagesave të Shqipërisë. Deficiti i llogarisë korrente për 9-mujorin 2020 arriti vlerën e 806 milionë eurove, në rritje me 8.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky deficit ka arritur nivelet më të larta në dekadën e fundit. Ndikimin kryesor e ka dhënë rënia e eksportit të të shërbimeve, ku më i godituri është turizmi. Të ardhurat neto nga turizmi për 9-mujorin 2020 ishin 224 milionë euro, në rënie me 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia, por në masë më të vogël, ka pësuar aktiviteti i fasonerisë, ku të ardhurat ranë 5.6% me bazë vjetore.

Efekti negativ është ndjerë edhe tek remitancat, që për 9-mujorin ranë në 470 milionë euro, pothuajse 10% më pak krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, deficiti korrent pësoi një ngushtim në komponentin më të madh, deficitin në mallra, që zbriti në 2.1 miliardë euro, 8.6% më pak krahasuar me 9-mujorin 2019.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *