Kryeministri Rama ka cekur sot rastin e sanitares Tire Alldervishi, që u arrestua një ditë më parë pasi akuzohet se i ka zhvatur një sasi prej 8 milionë lekësh një qytetareje që kishte të shtruar nënën e prekur nga Covid-19 në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’.
Kreu i qeverisë ishte në përurimin e Qendrës Shëndetësore 1, që është rikonstruktuar së fundmi. Gjatë fjalës së tij Rama tha se ngjarja në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ me sanitaren, cënon imazhin e punën e mjekëve e infermierëve të spitalit.
“Unë jam mirënjohës për të gjithë mjekët dhe infermierët, sidomos për ata që punojnë në kushte, siç punonit edhe ju para pak kohësh e në këtë situatë kaq të ngatërruar dhe problematike jam shumë i keqardhur për historinë e asaj sanitares që faktikisht cënon imazhin, reputacionin dhe punën e zakonshme të mjekëve dhe infermierëve. Krijon edhe perceptimin që kjo është një mënyrë të punuari e shumë njerëzve, apo është pjesë e sistemit të punës. Realisht, e vetmja gjë që më ka pëlqyer apo më ka ngrohur në atë ngjarje ka qenë puna e bërë nga gazetarët investigativë, sepse kanë nxjerrë në pah një llum, natyrisht, tejet të papërtypshëm, por njëkohësisht nuk kanë provuar, përkundrazi, do thoja që në gjithë investigimin e tyre nuk ka rezultuar që ajo sanitare të ishte e lidhur me një mjek dhe ky të ishte një zinxhir.” – tha Rama.
Ai shtoi më tej se ‘pyll pa derra nuk ka’ ndërsa theksoi se në çdo sektor ka fundërrina të tilla, që mund të jenë edhe mjekë megjithatë kjo nuk e zhbën punën e jashtëzakonshme të bluzave të bardha.
“Kjo duhet të jetë një kambanë alarmi për të gjithë dhe në rradhë të parë për njerëzit që janë në nevojë që nuk duhet të ndjekin rrugë të tilla, sepse ne jemi të gjithë në dispozicion. Ju e dini shumë mirë vetë që, siç nuk ka pyll pa derra, nuk ka asnjë sistem dhe asnjë sektor ku të mos gjenden fundërrina të tilla që mund të jenë edhe mjekë, por kjo nuk e zhbën kurrë gjithë sakrificën dhe madje, në këtë rast të pandemisë, edhe heroizmin e mjekëve.” – shtoi kryeministri Rama.