Partia Demokratike ka denoncuar kryeministrin Rama se po kërkon të kapë Komitetin Olimpik Shqiptar përmes deputetit socialist, Fidel Ylli.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Albana Vokshi tha se kjo është e papranueshme dhe e dëmshme për sportin në vend.
Ndërsa mijëra njerëz jetojnë në çadra e janë pa mbështetje nga përmbytjet, kryeministri Rama mendon të pushtojë edhe sportin në vend nëpërmjet emërimit të Fidel Yllit në krye të Komitetit Olimpik.
“Të dashur qytetarë! Këto janë ditë të vështira për shumë prej jush. Me mijëra njerëz janë dëmtuar nga oërmbytjet, por nuk kanë mbështetje. Me mijëra të tjerë jetojnë akoma në çadra. Qindra e mijëra janë të papunë, por qeveria nuk bën ndonjë përpjekje për t’i punësuar. Hallet e njerëzve janë të shumta, por Edi Rama mendon vetëm për vete. Së fundmi, plani i tij është të uzurpojë edhe sportet, duke targetuar politizimin e Komitetit Olimpik Shqiptar përmes emërimit të shërbëtorit të tij, Fidel Ylli.” – tha Vokshi.
Demokratja shtoi më tej se qeveria ka zhbërë rregullat që pengonin kontrollin politik të sportit.
Sipas Vokshit, përfshirja e Fidel Yllit, që është deputet i PS-së është përpjekje për të prishur garën si dhe emërim i dhunshëm i një politikanë në sport.
Ajo i bëri jehonë qëndrimit të PD-së, sipas së cilës Komiteti Olimpik Shqiptar duhet të mbetet i pavarur e të mos u shërbejë interesave të pushtetit por atyre të sportit.
“Qeveria që ha mish me flori në Dubai ka zhbërë rregullat që pengonin kontrollin nga politika të sportit. Deri pak kohë më parë, në statutin e Komitetit Olimpik, që miratohet nga Ministria e Arsimit, përcaktohej se “nuk lejohet që politikanë aktivë të konkurojnë për të qenë në organet drejtuese të Komitetit”. Arsyeja për të cilën ky përcaktim është hequr ka lidhje me vendimin e Edi Ramës për të zgjedhur president të Komitetit Olimpik Shqiptar deputetin e tij Fidel Ylli.
Përfshirja e një politikani aktiv, deputet i Partisë Socialiste është tentativë për të prishur garën, eshtë emërim i dhunshëm i një politikani në sport, kundër çfo standardi botëror. Plani i Edi Ramës për të kapur edhe organizmat e pavarur të sportit është i dëmshëm për sportin dhe si i tillë i papranueshëm. Për Partinë Demokratike, Komiteti Olimpik Shqiptar duhet të mbetet një organizëm i pavarur, në mënyrë që të mos i shërbejë interesave të pushtetit, por sportistëve të talentuar dhe imazhit të Shqipërisë në botë.” – mbylli denoncimin Vokshi.