Personelit të Shërbimit Sekret të caktuar për të ruajtur vajzën e presidentit Ivanka Trump dhe burrit të saj Jared Kushner, i ndalohej përdorimi i banjave të çiftit.
Për shkak të kësaj, ata u detyruan të merrnin me qira një apartament të tërë me shpenzimet e tatimpaguesve.
Sipas një artikulli të publikuar nga “Washington Post”, vajza e presidentit dhe burri i saj ia ndalonin Shërbimit Sekret të përdorin njërën nga banjat në shtëpinë e tyre, të vendosur në lagjen e pasura Kalorama.
Kjo i vuri agjentët në pozicion të vështirë dhe thuhet se ata kaluan “muaj” duke kërkuar për një tualet që do të ishte i përshtatshëm.
Përpjekjet për të instaluar një tualet jashtë u kundërshtuan nga fqinjët e pasur të çiftit. Në fund, agjentët morën me qira një apartament përtej rrugës, duke shpenzuar 3,000 dollarë në muaj vetëm për të pasur një ambient ku të kryejnë nevojat e tyre personale.
Fatura – e paguar nga taksapaguesit amerikanë shkonte në mbi 100,000 dollarë.
Ndërsa Shërbimi Sekret nuk pranoi të komentonte mbi këtë çështje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere mohoi se ky ishte vendim i çiftit Ivanka-Jared por zgjedhje e vetë oficerëve.