361 qytetarë janë gjobitur nga policia në 24 orët e fundit, pasi u kapën duke lëvizur në rrugë pa maska mbrojtëse.
“Ndëshkohen me masë administrative 361 shtetas që u konstatuan pa maskat mbrojtëse.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 361 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.”– njofton policia.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit. Policia thotë se pasi kanë paraqitur më në fund dokumentin e identifikimit, ata janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe janë lënë të lirë.