Qeveria e kryeministrit Mark Rutte ka dhënë dorëheqjen të premten për shkak të një skandali, në të cilin mijëra prindër u akuzuan në mënyrë të gabuar për mashtrim të përfitimeve të fondeve të fëmijëve midis viteve 2013 dhe 2019.
DW shkruan se Rutte thirri në një takim kabinetin qeveritar në Hagë, ku ministrat duhej të vendosnin për të dhënë dorëheqjen, vetëm dy muaj para zgjedhje të përgjithshme të planifikuara. Pas takimit, Rutte informoi mbretin Willem-Alexander për dorëheqjen e qeverisë.
Politico.eu shkruan se ministrat e qeverisë do të qëndrojnë në detyrë në cilësinë e kujdestarit derisa të formohet një koalicion i ri, me zgjedhjet e përgjithshme që priten të mbahen në Mars.
Rutte më parë kishte thënë se ai ishte kundër shpërndarjes së koalicionit, duke thënë se Hollanda ka nevojë për stabilitet gjatë pandemisë së koronavirusit, por partitë e tjera të koalicionit thanë se ata besonin se pasojat politike ishin të pashmangshme pas një raporti të ashpër parlamentar në skandalin e përfitimeve.
“Me këtë vendim, qeveria dëshiron të bëjë drejtësi për të gjithë ata prindër të cilëve u është bërë padrejtësi e paprecedentë.”- tha Rutte në një konferencë për shtyp, citon Politico.eu.
“Sundimi i ligjit duhet të mbrojë qytetarët nga qeveria e plotfuqishme dhe kjo ka shkuar tmerrësisht keq këtu.”- tha Rutte. Një komitet parlamentar gjeti në raportin e tij të dhjetorit se “parimet themelore të sundimit të ligjit janë shkelur” në pretendimin e kthimit të pagesave të përkujdesjes për fëmijë nga rreth 26,000 prindër të cilët u identifikuan si mashtrues për gabime të vogla, siç ishin mungesa e nënshkrimeve në dokumente.
Për çfarë bën fjalë skandali?
Zyra Hollandeze e Taksave kishte akuzuar mijëra familje me pretendimin se kishin mashtruar për pagesat e mirëqenies së fëmijëve të tyre midis viteve 2013 dhe 2019. Ajo kërkoi shlyerjen e dhjetëra mijëra eurove nga këta prindër, duke çuar shumë familje në shkatërrim financiar dhe në disa raste, edhe në divorc.
Një raport parlamentar e quajti këtë një “padrejtësi të paparë” pasi iu hoqën dhjetëra mijëra euro mijërave prindërve, pa u dhënë të akuzuarve një shans për të provuar pafajësinë e tyre. Rutte, i cili ka qenë kryeministër që nga viti 2010, e përshkroi episodin si “të turpshëm”./Hashtag.al