Vendosni fjalën kyçe....

Rama për përmbytjet: Nuk krahasohet situata dikur me sot, kemi bërë punë të madhe


Kryeministri Edi Rama ka folur sot në një konferencë për mediet, lidhur me situatën e përmbytjeve në vend.

Rama tha se pasojat e përmbytjeve këtë herë kanë qenë shumë më të pakta, në raport me periudhën përpara qeverisjes socialiste.

“Kemi qenë të kujdesshëm për të parë motin. Ministri i Brendshëm ka ndarë me mua situatën, edhe Ministria e Bujqësisë ka pjesën e vet në bilanc. Bashkë me ne do ishte mirë që të ishte edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, që nuk është e pranishme, për shkak të një angazhimi tjetër. Këta tre ministra kanë qenë në përballje dhe kanë shumë për të thënë për rezultatin.

Nuk bën lajm çfarë nuk ndodh, por qeveritë vlerësohen jo vetëm për atë që bëjnë dhe reflektohet në atë që duket, por edhe për atë që nuk lejojnë të ndodhë. Bazuar në sasinë e reshjeve me të cilat jemi përballur këtë herë dhe bazuar në shifra krahasimore të sasive të reshjeve në momente shumë kritike të së shkuarës ku reshje më të pakta kanë sjellë situata katastrofike, ju sjellim pasqyrën e një situate që lidhet me një punë të përditshme dhe të përvitshme, që lidhet me investimet e mëdha që janë bërë në sektorin e kullimit, që lidhet me reformën e të gjithë strukturës dhe varësisë së Emergjencave Civile dhe ngritjen e shtetit në nivel tjetër, duke funksionuar të gjitha hallkat shtetërore, që nga ministri i Mbrojtjes tek kryeplaku.

 Situata ka qenë kritike nga Liqeni në Shkodër deri poshtë në Vjosë. Ky rast na dha shembull se duhet patjetër të punojmë përherë sa më mirë. Sigurisht e mira nuk ka fund, por nuk krahasohet përmbytja e madhe dikur dhe ajo që ka ndodhur sot.

Sot kemi bërë shumë punë. Kaskada e Skavicës do vihet në funksion dhe do mbyllë frikën dhe do balancojë kaskadën, duke bërë që çdo pikë uji të kthehet në energji. Ne fituam sfidën e menaxhimit, edhe falë vëmendjes 24 orë në 24 të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe aftësisë profesionale të drejtorit të KESH-it, Benet Beci”,– deklaroi Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *