Vendosni fjalën kyçe....

Voltana Ademi: Të dëmshpërblehen banorët e përmbytur


Kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka kërkuar vlerësimin e dëmeve, ndihma si dhe dëmshpërblim nga qeveria.

Kryebashkiakja tha se me mijëra hektarë tokë janë akoma nën ujë, duke rënduar situatën pos-përmbytje në ato territore ku uji ka filluar të largohet.

Ajo kujtoi edhe përmbytjet e vitit 2018, ku u shpreh se bashkia kishte bërë vlerësimin e dëmeve por qeveria nuk kishte dëmshpërblyer asnjë lekë ndonëse një gjë e tillë ishte premtuar.

DEKLARATA E ADEMIT

Situata e përmbytjeve në Bashkinë Shkodër, në territoret e njësive administrative Ana e Malit, Dajc, Bërdicë, Velipojë vazhdon të jetë e rëndë. Me qindra, mijëra hektarë tokë janë akoma nën ujë, duke rënduar kësisoj edhe situatën pos- përmbytje në ato territore ku uji ka filluar të largohet.

Me sipërfaqe të tëra tokë të mbjellë, tashmë janë dëmtuar dhe kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit. Bashkia Shkodër ka ngritur prej disa ditësh grupet e evidentimit të cilët po punojnë në terren për evidentimin e dëmeve. Kemi kërkuar pranë Komisionit të Emergjencave Civile në Prefekturë, pranë Ministrisë së Bujqësisë, direkt në komunikim edhe me ministren, vlerësimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet për shkak të shkarkimeve në kaskadën në Drin gjatë javës së fundit.

Në këto momente që po flasim, emergjenca vazhdon të jetë për gjënë e gjallë. Kërkesa jonë vazhdon të jetë permanente për sigurimin e mbi 150 ton koncentrat të domosdoshëm për gjënë e gjallë, për këto fshtara, për një periudhë 10 ditore.

Ndërkohë me vlerësimin e dëmeve do të verifikojmë vazhdimësinë e nevojës për sigurimin e ushqimit për gjënë e gjallë, për periudhën e dimrit dhe pranverës, pasi bëhet fjalë për toka bujqësore tashmë të dëmtuara rëndë, të mbjella me foraxhere, jonxhë, njëkohësisht me grurë por edhe me perime sidomos në zonën e Nënshkodrës.

Duhet të kemi në konsideratë që gjatë periudhës së pandemisë, për shkak të një pune të lavdërueshme që të gjithë njerëzit kanë bërë në tokat bujqësore, kemi edhe territore më të mëdha të mbjella. Rrjedhimisht, kemi edhe dëmtime më të mëdha. Nevoja për të ndërhyrë është e domosdoshme, dëmshpërblimi është mëse i domosdoshëm.

Është detyrim i qeverisë shqiptare të marrë masat e menjëhershme për vlerësimin e dëmeve dhe dëmshpërblimin e asaj që është produkti bujqësor tashmë i shkatërruar në këto njësi administrative.

Në vitin 2018, kemi patur një situatë të ngjashme me këtë që kemi kaluar këto ditë. Në vitin 2018 ne nuk kemi patur asnjë para të dhënë si dëmshpërblim për banorët. Në vitin 2018, ne bëmë të gjitha evidentimet por asnjë lek nuk u pagua pavarësisht se kjo u premtua.

Ne kemi pastruar të gjitha kanalet e dyta dhe të treta kulluese, në të gjithë këto territore. Bëhet fjalë për 85% të sistemit të kullimit të pastruar nga Bashkia Shkodër. Me kalimin e lumenjve te kanalet kulluese dhe në tokat bujqësore gjithçka dëmtohet. Prandaj dëmshpërblimi për fermerët është mëse nevojë. Nga ana tjetër Bashkia Shkodër kërkon të gjithë dëmshpërblimin për punën e realizuar për pastrimin e kanaleve të dyta dhe të trëta.

Investimet e domosdoshme të munguara duhet të alokohen në buxhetin e qeverisë për hapjen e kanaleve të para kulluesë gjë që nuk është bërë në këtë territor, është kompetencë e Bordit të Kullimit dhe e Ministrisë së Bujqësisë. Prandaj ndërhyrja e koordinuar, sikurse e bën Bashkia Shkodër për ta mbështetur procesin e kullimit duhet të jetë vazhdimësi e investimeve qoftë në kullim por edhe në të gjithë veprat mbrojtëse, të cilat që në vitin 2013 nuk janë realizuar, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme jo vetëm të Bashkisë por sidomos të banorëve të këtyre zonave të përmbytura.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *