Ish-Presidenti Bamir Topi i ftuar në emisionin sportiv “Pasó” në Top Albania Radio duke folur ndër të tjera rreth sportit dhe futbollit në veçanti, shprehu edhe një pakënaqësi kundrejt Edi Ramës.
Bamir Topi u shpreh i pakënaqur ndaj Kryeministrit Edi Rama pasi ky i fundit nuk i kishte bërë ftesë në inaugurimin e stadiumit “Air Albania” ish Qemal Stafa.
“Unë duke e njohur shumë mirë jetën e sportit, sportiviteti të bën që të jesh vetëm objektiv, nuk mund të jesh subjektiv. Unë kam sjellë në tribunën e stadiumit njerëz që nuk kishin shkelur ndonjëherë në stadium. Duke i mbrojtur me autoritetin tim, personalitetin tim, tek e fundit ju kam nxjerrë fobitë. Në momentin që inaugurohet “Air Albania Stadium”, ish-Presidenti i Republikës që shkonte në çdo ndeshje, ka qënë edhe Presidenti i Tiranës që njihet edhe si njeri i sportit, e ka tërhequr Z. Rama në tribunën e stadiumit, kur ishte Kryetar Bashkie dhe kishte fobi nga tifozët e Tiranës dhe i kam dhënë leksione se si mund të harmonizoheshin gjërat, nuk i çon ftesë ish-Presidentit të Republikës. Problemi është që gabime të tilla veshin njerëz që nuk kanë ndonjë lidhje organike me sportin”-deklaroi Bamir Topi.