Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Pampurit: Oksigjenisti i arrestuar është nipi i ish-drejtorit të spitalit të Kavajës


Partia Demokratike ka denoncuar sot shitjen e bombolave të oksigjenit në Spitalin e Kavajës, duke sulmuar qeverinë se kjo ka ardhur si pasojë e emërimeve partiake.

Ish-deputetja Oriola Pampuri, thotë se oksigjenisti Mensur Shtylla i arrestuar pak ditë më parë për shkak se shpërndante bombola oksigjeni pa autorizimin, është nipi i ish-drejtorit të Spitalit të Kavajës.

Pampuri thotë se ai është emëruar në shkelje të ligjit për shkak të lidhjeve familjare me ish-drejtorin e spitalit.

“Jemi përpara Spitalit të Kavajës, aty ku u denoncua rasti i Mensur Shtyllës, nipit të ish-drejtorit të Kavajës, Përparim Dahiu, i cili emëron nipin e tij në vend të oksigjenistit të dalë në pension, në shkelje të ligjit, i cili ndalon titullarët të emërojnë të afërmit e tyre në vendin ku ata punojnë.  

Mensur Shtylla shiste oksigjen jashtë ambienteve të spitalit hallexhinjve, njerëzve të pamundur. Dhe ky është skandali i cili nxori në pah propagandën e shëmtuar të Edi Ramës dhe Ogerta Manastirliut. Nxori në pah dështimin e plotë të sistemit shëndetësor, nxori në pah atë të cilën shesin nga mëngjesi deri në darkë, propagandën me konkurset fiktive dhe sigurisht atë të cilën mungon, mungesën e meritokracisë, në të gjitha sistemet tashmë.“- thotë Pampuri.

Ish-deputetja demokrate thotë se në një kohë kur Shqipëria po përballet me një numër të lartë papunësie dhe varfëri ekstreme, ministrat darkojnë në restorante luksoze në Dubai.

“Shqipëria, një vend ku ka një numër të lartë të papunësisë, një vend ku kosto e jetesës është rritur, një vend ku numri i personave në varfëri ekstreme është i lartë, një vend ku përballë të gjithë kësaj është paradoksi i disa ministrave të cilët darkojnë me çmime ekstreme, në restorante luksoze në Dubai.

Shqipëria e cila meriton një kryeministër i cili punon për shqiptarët, t’u qëndrojë pranë shqiptarëve, sot ka një kryeministër të dështuar, ka një kryeministër i cili dështoi çdo sistem, përfshirë këtu edhe dështimin e tij më të madh, sistemin shëndetësor.”– deklaroi Pampuri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *