Është mbledhur këtë pasdite Komiteti Teknik i ekspertëve sëbashku me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, të cilët në një komunikim me mediet bënë me dije situatën epidemiologjike në vendin tonë.
Manastirliu tha se ka patur një rritje të qëndrueshme të infeksioneve në dy javët e fundit.
“Kemi pasur rritje në javën e datave 2 deri 15 janar, një rritje me 260 raste në 14 ditët e fundit. Nga ana tjetër kemi rritje të numrave të rasteve në Bashki, duke u rritur numri i bashkive me raste të reja nga 44 në 52 bashki me një mesatare të përjavshme.
Sa i përket numrave të pacientëve në spitale përsëri rritje të rasteve. Edhe pse duhet të themi se rritja është e qëndrueshme gjithmonë një situatë ku tregon se duhet të kemi kujdes të shtuar dhe rritje të vigjilencës për të parandaluar cdo rritje të mëtejshme.
Në tërësinë e vlerësimit epidemiologjik, duke vlerësuar pozitivitetin në raport me testimet e kryera, vijon testimi në terren. Janë rritur testimet me teste të shpejta dhe PCR, vlerësohet se ka rritje të qëndrueshme të pozitivitetit. Qytetarët të vijojnë të tregojnë kujdes. Kjo rritje vjen edhe si pasojë e festave të fundvitit dhe grumbullimeve nëpër familje për të festuar. Ne do të vijojmë të kemi në zbatim masat që i gjykojmë si masa që kanë dhënë impakt dhe i gjykojmë se kanë dhënë efekt.
Vijojmë punën me testimet në terren, puna në 4 spitalet vijon pandalur në shërbim të qytetarëve. Ne kemi siguruar të gjitha kapacitetet e nevojshme, furnizime me barna e materiale që mjekët të kenë kapacitetet e nevojshme për të trajtuar pacientët.”– tha Manastirliu.
Ajo shtoi gjithashtu se mësimi në Universitete do të vijojë online deri në një urdhër të dytë. Po ashtu dhe fluturimet me Britaninë e Madhe do të mbeten të pezulluara deri më 1 shkurt. Më pas, MAnastirliu tha se do të kemi një rivlerësim mbi këtë vendim.