Vendosni fjalën kyçe....

Kush është gjyqtarja që kërkon hetim rrënjësor te mjekët e “Shefqet Ndroqit”


Dy ditë më parë gjykata dha vendimin për të lënë në masën e sigurisë “arrest me burg” sanitaren e spitalit Covid-2 “Shefqet Ndroqi”, e cila dyshohet se i mori 8 milionë lekë vajzës së një gruaje të sëmurë me Covid.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Rexhina Merlika, e cila kërkoi një hetim më rrënjësor për të mësuar nëse sanitarja ka vepruar në bashkëpunim me mjekë apo infermierë të tjerë në këtë spital.

Më saktë, kur po jepte vendimin e saj për masën e sigurisë gjyqtarja i kërkoi prokurorisë rikualifikimin e veprës penale. Sipas saj, situata e krijuar me sanitaren, në një kohë kur të gjithë qytetarët janë të trembur nga koronavirusi dhe shfrytëzimi i kësaj frike për të zhvatur para, duhet parë në kuadër të rrethanave të reja nga prokuroria.

 “Gjykata i sugjeron akuzës që ta rikualifikojë në kuadër të paragrafit të fundit për mashtrimin, për shkak të pasojave të rënda të sjella.

Në këtë kuadër e gjithsesi brenda konfigurimit të kësaj vepre, qofte dhe të mashtrimit në paragrafin e parë sikur të ishte dhe një vlerë e limituar marrë parasysh sensibilitetin e situatës, gjendjen në të cilën ndodhet publiku shqiptar, por dhe ai mbarëbotëror në raport me këtë sëmundje që ka sjellë pasoja të mëdha  në kuptimin ekonomik por dhe në kuptimin psikologjik të të gjithë shtetasve që përjetojnë një lloj frike, terrori, të abuzohet me këtë lloj ndjenje është diçka jashtëzakonisht e rëndë.”– tha gjyqtarja.

Gjyqtarja Rexhina Merlika ka punuar për një kohë të gjatë në në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, derisa në vitin 2013 u transferua në Tiranë.

Ajo pritet të japë llogari para Vettingut, menjëherë sapo ndaj saj të mbarojnë hetimet.

Gjyqtarja e Tiranës rezulton se ka ndryshuar gjeneralitet, ashtu si dhe një pjesë e kolegëve të saj. Në formularin e dekriminalizimit ajo thotë se emri i saj i parë ka qenë Gjelina.

Një nga çështjet më të diskutuara të gjyqtareës Merlika, ka qenë lirimi i njërit prej anëtarëve të grupit të shumëpërfolur “Bajri”.

Kujtojmë se Krimet e Rënda, që kryen arrestimin e Klaudio Hoxhalliut, në datën 5 mars 2019 shpallën moskompetencë për të hetuarit Klaudio Hoxhalliu dhe Denis Brajoviq.

Në momentin e dënimit Klaudio Hoxhalliu ka qenë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërkohë që 19 ditë pas këtij dënimi Hoxhalliu, është liruar dhe nga “arresti i shtëpisë”, me vendim të gjyqtares Merlika./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *