Kanë kaluar disa muaj, që kur zëdhënësja e PD-së denoncoi rastin e qytetarit Shaqir Kasmi, që sipas saj është braktisur nga qeveria duke mos i dhënë asnjë lloj ndihme pavarësisht se banesa e tij ishte shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.
Pasi bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj kërkesave të zotit Kasmi, kanë qenë demokratët e degës Nr.8 të PD-së në kryeqytet që kanë mundësuar rindërtimin e banesës së qytetarit.
Me këmbë të prerë dhe që jeton i vetëm, Kasmi tregoi me lot në sy vështirësitë që ka kaluar.
“Më përjashtuan nga rindërtimi, më fallsifikuan firmën, më kërkojnë të shkoj nëpër zyra, kur unë e kam këmbën e prerë dhe nuk lëviz dot.”– thotë ai. Kasmi shton se është kjo dhe arsyeja pse ai nuk merr dot as kempin.
“Nuk kam marrë asnjë qindarkë. Jetoj me ndihmat e shokëve, sepse të afërm nuk kam. Nuk i ndjek dot zyrat me një këmbë”– shton ai.
Zëdhënësja demokrate e siguroi Shaqirin se gjithçka do të ndryshojë pas 25 prillit. Zhupa i premton qytetarit se do të ketë mbështetjen e PD-së për çdo gjë.
“Çdo shqiptar duhet ta dijë që pas 25 prillit fillon një qeverisje e re, një qeverisje që do të kujdeset për të pamundurit, për ata që nuk kanë mundësi të shkojnë vetë në zyrat e shtetit, për ata që nuk kanë mundësi të shtyjnë muajin duke i dhënë gjiçka që i takon dhe shtetit që i takon kujdestar i interesave të tyre dhe jo kujdestar i një grupi njerëzish, oligarkësh duke ngrënë darka e dreka në Dubai, ndërkohë që ju nuk keni me çfarë të shtyni muajin nëse nuk ju ndihmojnë fqinjë dhe bamirës që të kaloni këtë gjendje. Ke mbështetjen tonë për çdo gjë që të duhet dhe ne do të bëjmë gjithçka brenda mundësive tona për të të ndihmuar.”- tha Ina Zhupa.