Reshjet e fundit dëmtuan kulturat bujqësore, por ende nuk dihet vlera e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet që përmbyti edhe shumë zona përfshirë shtëpi e infrastrukturën rrugore.
Për herë të parë vitin e kaluar Qeveria e Kosovës ka ndarë fond të veçantë për kompensimin financiar të dëmeve në bujqësi, por pritet të ketë kompensim edhe për dëmet e shkaktuara në këtë fillim vit, raporton Gazeta Express.
Me buxhetin e vitit të kaluar Ministria e Bujqësisë aprovoi për herë të parë mjete buxhetore në vlerë prej 3 milionë e 80 mijë euro për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë elementare natyrore.
Kjo ministri ka trajtuar të gjitha kërkesat e Drejtorive komunale për Bujqësi lidhur me këto dëme dhe se për periudhën janar-qershor 2020 ka realizuar pagesa për 2 mijë e 354 fermerë në vlerë rreth 2 milionë euro të shpërndara në 21 komuna përkatëse.
Fermeri nga Krusha e Madhe, Mentor Duraku ka deklaruar se në vitin e kaluar ishte dëmtuar nga breshëri dhe vërshimet mbi 80 përqind, e që ka marr kompensimin financiar nga Ministria e Bujqësisë për 25 përqind të dëmit.
“Jemi dëmtuar mbi 80 përqind prej reshjeve, breshrit dhe vërshimeve. Shteti na ka ndihmuar sivjet mirë. Ministria e Bujqësisë na ka ndihmuar me 25 përqind. Më shumë kemi pasur spec 5 hektarë e gjysmë, patate, qepë dhe lakër”, thotë ai.
Ndihmën e shtetit për vitin që lamë pas e mori edhe fermeri nga Remniku i Vitisë, Qerim Qerimi, i cili pret që të ketë kompensime edhe për vitin 2021.
“Nuk është edhe keq, por tash varet nga vlerësimi i komisioneve. Kemi marrë kompensimin për dëmet çka janë bërë. Për 1 hektarë e 5 ari rreth 2600 euro janë ndarë nga vlerësimi, ose 25 përqind. Për dredhëz nuk është e mjaftueshme. Vitin e kaluar në bazë të kohës të papërshtatshme ka pasur dëme shumë krahasuar me vitin 2019”, theksoi Qerimi.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa ka thënë për KosovaPress se kompensimi i dëmit nuk është bazuar në hektarë të dëmtuar, por në vlerën totale të dëmit të vlerësuar.
Mustafa pret që pas vlerësimeve të kompensohen financiarisht edhe dëmet e shkaktuara para një jave nga vërshimet.
Ministri në detyrë Mustafa po ashtu tha se lidhur me dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore elementare për periudhën korrik-nëntor 2020 është duke vazhduar vlerësimi i kërkesave komunale dhe sapo të përfundojnë vlerësimi do të procedohen tutje pagesat në fjalë.
“Viti 2020 ka qenë viti i parë kur ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka krijuar përmes një baze të mirëfilltë ligjore dhe buxhetore një fond të veçantë ose linjë buxhetore të veçantë prej 3 milionë e 80 mijë euro kur patëm miratuar edhe buxhetin në mars të vitit 2020… Patëm bërë një thirrje publike për të gjitha komunat që të dorëzojnë raportet e evidentimit dhe vlerësimit financiar të këtyre dëmeve për periudhën janar-qershor në mënyrë që të përshpejtojmë këtë proces dhe fermerët të kenë mjetet e tyre në llogari sa më shpejt. Janë përgjigjur pozitivisht 21 komuna për mbi 2 mijë 300 fermerë ku dëmi është vlerësuar të jetë rreth 8 milionë euro. Nga kjo shumë ne kemi ndarë 25 për qind kompensim të kësaj vlere ose rreth 2 milionë euro për 2300 fermerë të cilët tani më i kanë mjetet në xhirollogaritë e tyre”, thotë Mustafa.
Ndërsa, Ministria e Bujqësisë për produktet që nuk janë shitur për shkak të pandemisë Covid-19, kjo pjesë do të kompensohet përmes Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.