Ditën e sotme tre persona ende të pa identifikuar kanë tentuar të vjedhin një dyqan e celularësh në Fier.
Një punonjës policie i cili gjendej aty pranë ka ndërhyrë për të parandaluar vjedhjen dhe është përplasur fizikisht me autorët të cilët në largim e sipër kanë goditur me makinën e tyre mjetin privat të efektivit të uniformave blu.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Fier.
“Sot rreth orës 06:10, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, Fier, tre persona të paidentifikuar kanë tentuar për të vjedhur dyqanin e celularëve në pronësi të shtetasit R. C.
Gjatë tentativës për të kryer vjedhjen autorët janë pikasur nga një punonjës i policisë i cili po shkonte për të marrë shërbimin në zonën policore.
Punonjës i Policisë ka ndërhyrë për të parandaluar vjedhjen duke u përplasur fizikisht me autorët, të cilët gjatë largimit kanë goditur me automjetin e tyre mjetin privat të punonjësit të policisë.
Në vendngjarje janë fiksuar prova materiale të lëna nga autorët të cilat do të shërbejnë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”-thuhet në njoftimin e policisë.