Vendosni fjalën kyçe....

I vunë prangat sa zbriti në Moskë, SHBA-ja dhe BE-ja i kërkojnë Rusisë të lirojë Navalny-n


Shtetet e Bashkuara dhe disa qeveri evropiane kanë kërkuar lirimin e politikanit të opozitës Alexei Navalny, i cili u arrestua nga policia menjëherë pasi mbërriti në Moskë në dielën.

Aktivisti po kthehej në vendin e tij pesë muaj pasi ai ishte helmuar në një sulm me agjent nervor, për të cilin fajësoi autoritetet ruse. Por qeveria e presidentit Vladimir Putin i ka mohuar këto akuza.

Navalny i kishte kaluar këto muaj pas helmimit në Gjermani, por të dielën vendosi të rikthehej në vendlindje duke e ditur se e prisnin prangat.

Duke reaguar ndaj arrestimit të tij, SHBA-ja dhe BE-ja i bënë thirrje qeverisë ruse që Navalny të lirohet.

Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo, tha se autoritetet ruse po përpiqeshin t’i mbyllnin gojën kritikëve të tyre. Ai bëri thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar” të Navalny-t.

“Liderët politikë të sigurt nuk kanë frikë nga zërat konkurrues, as nuk kryejnë dhunë ndaj tyre e as nuk i ndalojnë padrejtësisht kundërshtarët politikë.”– tha Pompeo, citon BBC.

Këshilltari i ardhshëm i sigurimit kombëtar të presidentit të zgjedhur Joe Biden mbajti një qëndrim të ngjashëm. “Sulmet e Kremlinit ndaj zotit Navalny nuk janë vetëm një shkelje e të drejtave të njeriut, por një fyerje ndaj popullit rus që dëshiron të dëgjohet zëri i tyre.”– tha Jake Sullivan.

Reagimi nga Bashkimi Evropian ishte jo më pak i ashpër, me Francën, Italinë dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, që gjithashtu bënë kërkesa për lirimin e opozitarit rus.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është shprehur gjithashtu ” e shqetësuar” për arrestimin e Navalny-t.

“Në vend që të përndjekin viktimën e këtij krimi të tmerrshëm, autoritetet ruse duhet të hetojnë se si një armë kimike u përdor në tokën ruse”.- thuhet në një deklaratë të Mbretërisë së bashkuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *