Ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku, i është përgjigjur kryebashkiakut Erion Veliaj, lidhur me punën që është bërë gjatë kohës kur bashkia e Tiranës drejtohej nga PD-ja.
Tabaku ka publikuar në Facebook një grafik, përmes të cilit tregon shkollat dhe çerdhet e ndërtuara apo rehabilituara në kohën kur bashkia drejtohej nga Lulzim Basha.
Sipas këtij grafiku, Basha në vitet 2011-2015 ndërtoi dhe rehabilitoi 48 kopshte, shkolla e çerdhe.
“Gjatë viteve 2011-2015 në Tiranën e drejtuar nga Lulzim Basha u ndërtuan e rehabilituan 48 kopshte, shkolla e çerdhe.
Për të gjithë sojin e propagandes dhe lakejtë e tyre më poshtë është e publikuar lista e plotë e godinave që u ndërtuan dhe rehabilituan sikundër u lanë në proces dhe dhjetëra të tjera si ‘Qemal Stafa’ apo ‘Eqerem Çabej’.
Këto janë të vërtetat që Edi Rama dhe kopja e tij pa ngjyra në bashkinë e betonizuar nuk i mbulojnë dot megjithë makinerinë e madhe të propagandës që kanë në dispozicion. Shkollat, kopshtet apo çerdhet janë aty ndërsa dokumentacionet në bashkinë e Tiranës. Qytetarët e Tiranës janë dëshmitarët e të gjithë investimeve tona në bashkinë e drejtuar nga Basha.”- shkruan Tabaku.
Sipas demokrates, kryeministri Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk bëjnë projekte reale, por vetëm projekte 3D. Për këtë arsye sipas saj ka ardhur koha që kjo gjë të ndryshojë.
“Ky i Ramës dhe i Veliajt është shteti i FB dhe i projekteve në 3D. Është modeli i qeverisjes duke hedhur baltë mbi kundershtarin sepse kjo është alternativa e fundit mbetur pas 8 vitesh deshtime në çdo fushë.
Ka ardhur koha të ndryshojmë. Ka ardhur koha për një qeveri që kujdeset për njerëzit. Ka ardhur koha t’i rikthejmë Shqipërisë njerëzit e saj; t’ua kthejmë qeverinë qytetarëve. Ka ardhur koha ta çojmë Shqipërinë drejt rrugës së suksesit dhe standardeve të larta të jetesës.
Qeveria jonë do të kujdeset për të ardhurat e qytetarëve, jo për per te trefishuar pasurinë si këto që po ikin! ”– shprehet Tabaku.