Vendosni fjalën kyçe....

Kriza e Covidit uli me gati 300 euro të ardhurat për frymë të shqiptarëve në 2020-ën


Mesatarisht një qytetar shqiptar ka humbur gati 300 euro të ardhura vjetore prej krizës pandemike me 2020, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.

Në Kuadrin e ri Makroekonomik 2022 -2024 që u botua në Fletoren Zyrtare, qeveria parashikon që të ardhurat për frymë të tkurren në 2020 me 36 mijë lekë ose rreth 300 euro.

Të ardhurat mesatare për frymë në vitin 2020 pritet të arrijnë në 552 mijë lekë nga 588 mijë lekë që ishin vitin e kaluar.

Qeveria parashikon që të ardhurat për frymë të rikuperohen tërësisht këtë vit duke arritur në 592 mijë lekë. Kjo vlerë rikuperon tërësisht humbjen e vitit 2020 madje është dhe më e lartë se e vitit 2019.

Por sektori i biznesit dhe ekspertet ekonomisë nuk janë optimistë për një rimëkëmbje kaq të shpejtë. Rikuperimi i humbjeve të shkaktuara nga pandemia pritet të ndodhë gjatë dy viteve në vijim.

Qeveria parashikon që deri më 2024 të ardhurat për frymë të kenë arritur 727.6 mijë lekë me një rritje 32 % me pritshmëritë e këtij viti.

Të ardhurat për frymë u goditën për shkak se kufizimeve në lëvizje dhe pezullimit të aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe sidomos në ato të turizmit. Sipas të dhënave zyrtare, në tremujorin e dytë 2020 rreth 47 mijë persona në sektorin privat humbën vendet e punës, pavarësisht se shumica u rikthyen në punë në tremujorin e tretë.

Kriza Covid-19 ka ndikuar në uljen e pagave, që ka qenë e dukshme në sektorin privat ndërsa pagat në shtet kanë vijuar rritjen. Sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të tretë 2020, është 52.815 lekë, duke rënë me 2.5% në krahasim me tremujorin e dytë 2020, ndërsa në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë është 1.8% më e lartë.

Rënia e pagave në tremujorin e tretë në raport më të dytin është konstatuar vetëm në sektorin privat. Sipas INSTAT, paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin privat ishte 47,486 lekë, duke rënë me 3.6% në krahasim me tremujorin e dytë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *