Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, tha sot nga Fieri se programi qeverisës është gati.
Në një intervistë për News24, ajo theksoi se në qendër të tij është punësimi i të rinjve.
“Programi është gati. Është reflektuar çdo gjë, një nga pikat tona kryesore është punësimi i të rinjve dhe punësimi. Sot me rëndësi është e ardhmja e fëmijëve. Prindërit duan garant për një punësim dinjitoz të fëmijëve të tyre dhe që t’i kenë në shtëpi. Nga të gjitha konsultimet që kemi bërë me grupet e interesit, pikat kryesore janë fëmijët, familja, kostoja e jetesës dhe mundësia për t’u shkolluar. Ne jemi gati që të paraqesim fjalën dhe ne i qëndrojmë premtimet tona. Është e vetmja parti që iu ka dhënë hapësirë të rinjve.” – tha ajo.
Më tej ajo theksoi se LSI-ja ka shumë pika të përbashkëta me opozitën e bashkuar e kryesorja është largimi i Edi Ramës në zgjedhjet e 25 prillit.
“Taksa e sheshtë është një nga pikat që ne kemi të përbashkët, ku PD-ja është angazhuar për 9%, ne kemi qenë për 10%, por do të biem dakord. Është e rëndësishme që të jetë taksë e sheshtë. Por pika kryesore është largimi i Edi Ramës.” – shtoi Kryemadhi.
Për sa i përket koalicionit, kryetarja e LSI-së tha se partia që drejton është në koalicion jo vetëm me PD-në por me të gjitha partitë që janë në frontin opozitar dhe me shqiptarët që me 25 prill do votojnë për të ardhmen.
“Jemi në koalicion me të gjitha partitë e opozitës. Ne jemi në kontakt me PD-në. Zoti Vasili është personi kryesor që ndjek mbarëvajtjen e marrëveshjes me opozitën. Ai është kandidat për Tiranën. Kurse unë për hir të së vërtetës jam e detyruar që të lëviz nga Veriu në Jug. Pika jonë e përbashkët është largimi i Edi Ramës në 25 prill. Kemi një marrëveshje mes LSI dhe partive opozitare. Është marrëveshja e 23 prillit të 2019-ës. Për sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, zoti Basha është drejt konkludimit të marrëveshjes me të gjithë aleatët.” – shtoi ajo.
Ndër të tjera Kryemadhi theksoi se nuk ka asnjë mundësi që kryeministri Rama të ëndërrojë një bashkëpunim me LSI-në dhe se ikja e tij duhet të bëhet me çdo çmim.