Vendosni fjalën kyçe....

Pompeo i ashpër me Kinën: Po kryen gjenocid kundër ujgurëve


Në orët e fundit në postin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo tha se politikat e Kinës ndaj myslimanëve dhe pakicave etnike në provincën Ksinjiangut përbëjnë një “gjenocid”.

“Unë besoj se ky gjenocid është duke vazhduar dhe se ne jemi dëshmitarë të përpjekjes sistematike për të shkatërruar ujgurët”, tha Pompeo në një deklaratë.

Përcaktimi si gjenocid pason një debat të brendshëm intensiv, pasi Kongresi miratoi legjislacionin më 27 dhjetor, përmes të cilit kërkoi që administrata amerikane të përcaktojë brenda 90 ditësh nëse puna e detyruar ose krime të tjera të pretenduara kundër ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane janë krime kundër njerëzimit ose një gjenocid.

Vendimi i SHBA-së nuk përcakton automatikisht ndonjë masë, por kjo do të thotë që vendet do të duhet të mendojnë shumë nëse do të lejojnë kompanitë të bëjnë biznes me Ksinjiangun, një nga furnizuesit kryesorë global të pambukut.

Pesë ditë më parë, administrata amerikane njoftoi se do të ndalonte importet e pambukut dhe domateve nga Ksinjiangu.

Kina ka burgosur më shumë se 1 milionë njerëz, përfshirë ujgurët dhe grupe të tjera kryesisht myslimane, në një rrjet të gjerë kampesh përqendrimi, sipas zyrtarëve amerikanë dhe grupeve të të drejtave të njeriut.

Njerëzit i janë nënshtruar torturave, sterilizimit dhe indoktrinimit politik si dhe punës së detyruar si pjesë e një fushate asimilimi në një rajon, banorët e të cilit janë etnikisht të ndryshëm nga shumica kineze.

Kina ka mohuar raportimet, duke pretenduar se kampet e ndalimit janë për qëllim të edukimit dhe luftimit të “ekstremizmit”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *