Shqipëria u rendit e gjashtë në botë në vitin 2019 sa u përket lejeve të qëndrimit që shtetasit e saj kanë në shtetet e Bashkimit Europian.
Të dhënat u publikuan nga Eurostat, sipas të cilit për shtetasit nga Shqipëria janë dhënë deri në fund të vitit 2019 rreth 868 mijë leje qëndrimi.
Sipas Eurostat, në fund të vitit 2019, qytetarët e Marokut ishin grupi më i madh që mbanin leje qëndrimi të vlefshme (2.0 milionë), ndjekur nga shtetasit e Turqisë (1.9 milionë), Ukrainës (1.3 milionë) dhe Kinës (përfshirë Hong Kongun; 1.0 milionë). Këto ishin shtetësitë e vetme që kishin më shumë se një milion leje qëndrimi të vlefshme.
Shifrat e tjera larta u regjistruan për qytetarët e Sirisë (974 000), Shqipërisë (868 000), Algjerisë (700 000), Rusisë (689 000), Indisë (555 000) dhe Serbisë (504 000). Qytetarët e këtyre 10 vendeve zënë më shumë se gjysmën (51%) të numrit të përgjithshëm të lejeve midis qytetarëve jo-BE që mbajnë leje qëndrimi të vlefshme në BE-27.
Ndërsa renditet e gjashta në botë për numrin e lejeve të qëndrimit që janë dhënë për shtetasit e saj, Shqipëria e vogël, me vetëm 2.85 milionë banorë, renditet e para në botë për lejet e qëndrimit, në raport me popullsinë e saj.
Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, për shtetasit shqiptarë, vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë per Shqipërinë 304 mijë leje qëndrimi për 1 milion banorë, që është 4 herë më e lartë sesa shteti i dytë pas nesh, Serbia (shih grafikun: Lejet e qëndrimit dhënë nga vendet e BE-së, për 1 mln banorë, deri në fund të 2019-s).
48% e lejeve janë dhënë në Itali
Sipas të dhënave të Eurostat, 48% e lejeve të qëndrimit janë dhënë për shtetasit shqiptarë nga Italia, për një total prej rreth 417 mijë personash.
Në vend të dytë është Greqia, me 43%, ose 371 mijë persona.
Gjermania ka kaluar në vend të tretë, me 43 mijë lejë qëndrimi, ose 5% të totalit.
Në vend të katërt është Franca, me 11 mijë persona, ose 1.3% të totalit.
Shtetet e tjera kanë dhënë mesatarisht më pak se 5,500 leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al