Tamara Nikçeviq është një analiste e njohur në hapesirat e ish-Jugosllavisë. Në fakt, ka qenë ndër gazetarët e rrallë që para tri dekadash ngriti zerin me guxim, duke iu kundervene fushatës që mori hov në ballë me Slobodan Milosheviqin, zhvillime këto që çuan edhe në shpërbërjen e ish-federatës jugosllave. Në një intervistë për TV Klan Maqedoni, e cila përcillet në KDP, Nikçqeviq flet për zhvillimet në skenën politike malazeze pas zgjedhjeve të fundit dhe sfidat e problemet e qeverisë së re në të cilën, thotë ajo, nuk ka asnjë malazez!
Bisedoi: Seladin XHEZAIRI
Duke marrë parasysh se teleshikuesit tanë mund edhe të mos jenë në rrjedha të plota për atë që po ngjet në Podgoricë, çfarë po ndodhë në Mal të Zi, pas ndërrimit relativisht të qetë të pushtetit?
Nikçeviq: Së pari, mendoj se pranim-dorëzimi i pushtetit ishte i qetë e jo relativisht i qetë. Pra, presidenti i Malit të Zi, dhe kryetar i Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviq, njohu menjëherë rezultatet e zgjedhjeve. Pranoi se koalicioni të cilit i kishte prirë, ka më pak mandate. Në fakt, ka një mandat më pak në raport me këtë koalicionin fitues që ishte paszgjedhor dhe kjo kaloi mirë, përkundër spineve të ndryshme të shtypit të Beogradit, nën kontrollin e presidentit Aleksandar Vuçiq, e më pas edhe të këtyre këtu – forcave proserbe të cilat, më duhet t’ua rikukujtoj, nga viti 1997, nuk kanë njohur rezultatet e absolutisht asnjë palë zgjedhjeve në Mal të Zi, përfshirë këtu edhe Referendumin për rikthimin e pavarësisë shtetërore të majit të vitit 2006. Domethënë, ky pranim-dorëzim ishte absolutisht i qetë. Ndërkohë, gjatë më shumë se një muajit të kaluar, që nga formimi i Qeverisë, ndodhën gjëra të ndyrshme. Patëm rastin të ndjekim ndodhi tepër të bujshme në skenën politike të Malit të Zi të cilat më duket se vënë në dukje se Mali i Zi ngadalë po shndërrohet në një xhamahiri ortodokse, respektivisht se kjo qeveri po bëhet, nuk e di nëse duhet të përdorë atë shprehjen e rëndë, por ja po them, po bëhet qeveri kleronacionaliste për të mos thënë klerofashiste!
Shtrohet pyetja se çfarë kursi do të ndjekë qeveria e re malazeze, duke marrë parasysh se, sipas raporteve nga Podgorica, pjesa më e madhe e anëtarëve të Qeverisë janë ideologjikisht ose familjarisht të lidhur me Kishën Ortodokse Serbe. Mos vallë me këtë po rikthehet ai togfjalëshi i vjetër i viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar sipas të cilit ‘serbët e malazezët janë si dy sytë e ballit’?
Nikçeviq: Mendoj se faktkeqësisht, fatkeqësisht, në raport me atë periudhë, kjo është radikalizuar tepër për shkak se kjo është qeveria e parë që nga vitet e nëntëdhjeta në të cilën nuk ka përfaqësues as të popujve pakicë, domethënë nuk ka as shqiptarë, nuk ka boshnjakë, nuk ka kroatë dhe nuk ka malazezë! Këto ditë për një media serbe e shtrova pyetjen: a mund ta paramendoni Qeverinë e Serbisë – pa serbë? Këtu gjendja është e këtillë. Që të mos ngatërrohemi: Thash se në këtë qeveri nuk ka shqiptarë. Natyrisht, nënkryetar i Qeverisë është Dritan Abazoviq, kombëtarisht – shqiptar, ama ai vjen nga një parti që veten e quan qytetare, nga e ashtuquajtura lëvizje qytetare ‘URA’ dhe unë mendoj se për nga gjithë ajo që po bën viteve të fundit dhe sidomos gjatë muajve të fundit, Dritan Abazoviqi është më së paku shqiptar ose, nëse doni, më së shumti i gjason Rrahman Morinës. Natyrisht, iu kujtohet për kend po flas, por mendoj se në kuptimin politik Dritan Abazoviqi jo që është serb, por është serbomadh!
Po si i interpretoni simpatitë e mëdha, fjala vjen, në Beograd, për zotin Abazoviq?
Nikçeviq: Kjo nuk është aspak e papritur. Nëse ju kujtohet dhe nuk e di sa e keni përcjellur, zoti Abazoviq, mori admirimin e përgjithshëm të nacionalistëve serbë dhe të shtypit serb nën kontrollin e presidentit Vuçiq. Madje nacionalisti serbomadh, akademiku Matija Beçkoviq, porositi se rinia serbe do ta mbajë në krahë kur të vijë në Beograd. Unë jam frikësuar dhe iu kam lutur Zotit që ajo rini serbe që do të mbajë në krahë zotin Abazoviq, kësaj radhe, të mos kalojë nëpër Batajnicë!
Më thoni se para çfarë sfidash ndodhet qeveria e re malazeze?
Nikçeviq: Qeveria e re malazeze është përballë shumë sfidave. Ju më pyetët për detyrimet që ka Mali I Zi, si anëtar i paktit të NATO-s dhe në rajon është vend – lider kur është fjala për integrimet evropiane. Përkundër disa paralajmërimeve dhe përkundër premtimeve që po i bën ky koalicion, më duhet t’ju tregoj disa detaje interesante të cilat flasin mbase më së miri për këtë që ju po më pyetni. Kështu, në krye të Këshillit parlamentar të sigurisë në Mal të Zi, falë këtij koalicioni qeverisës, madje me votat e partisë së zotit Abazoviq, në ballë të këtij këshilli të sigurisë, është caktuar Milan Knezheviq, një njeri ky që tash për tash nga një gjykatë e shkallës së parë është dënuar për përpjekje terroriste. Fjala është për një ngjarje që ndodhi më 16 tetor të vitit 2016 kur në Mal të Zi u tentua të bëhej një grusht-shtet, me ndihmën e logjistikës ruse në plotëkuptimin e fjalës. Pra, një njeri i tillë është vendosur në ballë të këshillit parlamentar për siguri. Në krye të Agjencisë së Policisë është vënë avokati i njërit prej momentalisht dy klaneve më të fuqishme kriminale në rajon, si dhe avokat i Kishës Ortodokse Serbe. Po ashtu, këshillin parlamentar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e drejton njeriu që erdhi nga Fronti Demokratik, parti kjo më e fuqishmja nga koalicioni qeverisës dhe që nuk i njeh malazezët si komb, që mohon gjenocidin në Srebrenicë që përdor një fjalor të mbrapshtë kur është fjala për pakicat në Mal të Zi. Kjo është pra sjellja e këtij pushteti edhe ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe detyrimeve që ka. Sa u përket punëve të bendshme, kur po më pyesni për sfidat, sigurisht se keni dëgjuar se kjo qeveri në mënyrë jolegale dhe në mënyrë jotransparente, ata vetë thonë se fjala është për një veprim sekret dhe të shpejt, mori një borxh prej rreth një miliardë eurosh, më duhet të them me duartrokitje dhe mbështetjen e ambasadores së Donald Trumpit në Mal të Zi dhe ambasadores së Komisionit Evropian në Podgoricë. Kjo qeveri, punën tjetër që bëri është shuajrja e kompanisë ajrore malazeze ‘Montenegro ailines’, kështuqë këto janë veprime të frikshme e të pakuptueshme të cilat, t’ju them të drejtën, më shtyjnë të kem frikë se në këtë moment Mali i Zi, jo vetëm për shkak të kësaj, po shkon drejt kërcitjes dhe konfliktit.
Këto ditë keni deklaruar se, po citoj, ‘qeveria serbomadhe dhe ministrat e saj po tentojnë që të ndryshojnë pasqyrën e gjakut të shoqërisë malazeze’. Keni menduar për regjistrimin e ardhshëm të popullsisë apo….?
Nikçeviq: Kam menduar edhe për regjistrimin e ardhshëm të popullsisë, por kam menduar edhe për gjithë këtë që po bëhet në prag të këtij regjistrimi të popullsisë. Regjistrimi do të duhet të bëhet gjatë muajit mars-prill të këtij viti, mirëpo po ju përmend disa gjera që po i paraprijnë kësaj dhe, përse e thash këtë: Në ballë të Ministrisë së Kulturës, Shkencës, Sportit dhe Arsimit ka ardhur një person nga një organizate joqeveritare, në krye të së cilës, para këtyre zgjedhjeve, ishte Zdravko Krivokapiq, tani kryeministër. Kjo është një organizatë klerikale ultra-nacionaliste nga e cila doli jo vetëm kjo ministrja fatkeqe e cila para do kohësh mori një çmim nga Kisha Ortodokse Serbe, besoni apo jo, për pjesëmarrje në liturgjitë që i pamë gjatë gjithë vitit të kaluar. Ajo u soll këtu si një njeri që po them – të serbizojë Malin e Zi, t’i përjashtojë malazezët të cilët aktualisht edhe ashtu janë të përjashtuar nga vendosja për çfarëdo qoftë. Kryetari iPartisë Boshnjake dhe kryetari i njërës prej partive shqiptare, para do kohësh, gjatë një interviste ishin plotësisht dakord në vlerësimin se malazezët momentalisht janë populli më i rrezikuar në Mal të Zi. Ashtu sikundër gjatë viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ishin të rrezikuar boshnjakët ose shqiptarët, sot kjo po u ndodhë malazezve! Partia Boshnjake dhe partitë shqiptare, krerët e këtyre partive, thanë se është detyrë e tyre që, ashtu sikurse i mbrojtën malazezët gjatë viteve të nëntëdhjeta, t’i mbrojnë sot malazezët e rrezikuar në shtetin e tyre. Kur kam folur për ndryshimin e pasqyrës së gjakut, kam folur për një vazhdimësi të cilën po e ndjekë Kisha Ortodokse Serbe e cila, në fakt, është faktori kryesor që ndikon mbi këtë qeveri. E dini se këtë e ka thënë edhe vet zoti Abazoviq në prag të formimit të qeverisë, se kur shpërthyen disa mospajtime brenda koalicionit treanëtarësh, mitropoliti i ndjerë i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Amfilofije, doli në skenë: i ftoi liderët në manastirin e Ostrogut dhe kjo qeveri në fakt u formua në kishë, respektivisht në manastirin e Ostrogut.
Si e shihni atë që quhet kohabiticion mes shefit të shtetit dhe Qeverisë së Malit të Zi, duke marrë parasysh se ditëve të fundit Presidenti Gjukanoviq ktheu disa vendime për rishqyrtim në Parlament?
Nikçeviq: Presidenti Gjukanoviq ka të drejtën kushtetuese që ta bëj këtë. Kyç ishte Ligji për Liritë fetare i cili sipas fjalëve të Peshkopit Joanikije, ekziston një deklaratë e tij, se ai Ligj, për shkak të të cilit kishin filluar liturgjitë vitin e kaluar, se këtë ligj e kanë shkruar juristët apo priftërinjtë, nuk e di si quhen, të Kishës Ortodokse Serbe. Do të thotë, Kisha vetë e ka shkruar këtë ligj, sipas fjalëve të Peshkopit Joanikije. Njëkohësisht, Ministri i Drejtësisë, Leposaviq, i cili dorëzoi ndryshimet e këtij ligji, ishte prej atyre njerëzve që kishin marrë pjesë në liturgjitë e Kishës Ortodokse Serbe. Këtë e përsëris për shkak se dua të ritheksoj se Qeveria është nën kontroll absolut të Kishës Ortodokse Serbe. T’ju rikujtoj se bëhet fjalë për kishën që selinë e ka në një shtet tjetër. Kjo nuk është Kishë e malazezëve. Kisha malazeze është shfuqizuar në vitin 1920 me dekret të Mbretit Aleksandar. Kjo dhunë vazhdon edhe gjatë ditës së sotme, por t`i kthehem pyetjes suaj… Kam përshtypjen se kjo qeveri në mënyrë të çuditshme e kupton fjalën “kohabiticion”. Kjo nuk ka qenë praktikë në Mal të Zi, është hera e parë që kemi kohabiticion, se detyra e Presidentit të zgjedhur në zgjedhje është që gjithçka që i dërgohet ta nënshkruajë. Kjo natyrisht nuk është e saktë. Ndryshimet e këtij ligji janë miratuar në rrethana krejtësisht kontestuese. Nuk pati kuorum, me forcë në orën 03.00 të mëngjesit, këtë ligj e miratuan, praktikisht me 39 deputetë nga 41 sa duhet. Këtë natë, ne në vepër e pamë se si duket një mendjemadhësi, që besoni se mund të krahasohet me atë që kemi parë në vitet e 90-ta në Kuvendin ish-jugosllav apo të Serbisë, kur radikallët e Vojislav Sheshelit dhe socialistët e Milosheviqit kishin shumicën. Sërish them se Presidenti shfrytëzoi të drejtën e tij kushtetuese, ktheu ligjin dhe tash do të shohim se çka do të ndodhë.
Çfarë mendoni, a do të qëndrojë deri në fundtë mandatit kjo Qeveri dhe a e përjashtoni mundësinë e ndryshimit të raportit të forcave politike në parlamentin malazez?
Nikçeviq: T`ju them se kjo Qeveri është shumë jostabile. Në thelb, kjo qeveri nuk ka përkrahje të partnerëve të koalicionit. Pse? Për shkak se koalicioni i Frontit Demokratik që është më i fuqishëm në suaza kësaj strukture qeverisëse, në thelb nuk e përkrah këtë qeveri, joformalisht nuk e përkrah për shkak se ka një qëllim të caktuar. Ky qëllim është regjistrimi i popullsisë dhe përpjekjet që Mali i Zi nga një shtet qytetar të shndërrohet në shtet kombëtar. Shtet, për të cilën foli edhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, një njeri që është president injë shteti tjetër, i cili në vazhdimësi përzihet në punët e brendshme të Malit të Zi. Ai kërkoi që serbët në Malt të Zi, edhe pse Mali i Zi është shtet i të gjithë qytetarëve të tij, kërkoi që serbët në Malit të Zi të fitojnë statusin ashtu siç e kanë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe serbët në Bosnjë e Hercegovinë. Do të thotë, bëhet fjalë për përpjekje që Mali I Zi të bëhet shteti i tretë serb. Është e tmerrshme dhe disi e pashpjegueshme… Tani do t’ua shpjegoj…Mendoj se do të ishte e pashpjegueshme, se si është e mundur që një Lëvizje Qytetare në krye të së cilës është Dritan Abazoviqi, që fitoi votat e qytetarëve të Malit të Zi, do të thotë malazezëve kombëtarë, mund të marrë pjesë në zbrazjen totale të Malit të Zi dhe shtetësisë së saj, të ndryshojë Malin e Zi, nga një shtet qytetar në shtetin e tretë serb. Ndoshta shpjegimi për këtë që po flasim, mund të kërkohet në atë që është spekuluar ditëve dhe muajve të kaluar në Mal të Zi, e kjo është panorama maqedonase, në thojza që ndërlidhet me Abazoviqin dhe deklaratën e tij se, dikush i ka ofruar 21 milion euro për dalje nga ky koalicion. Pasi këtë personalisht Abazoviqi e deklaroi dhe e konfirmoi në një emision televiziv, opinioni në Mal të Zi shtron pyetjen se “për çka bëhet fjalë?” dhe nëse kjo nuk ishte tentim korrupsioni dhe do të duhej që ndonjë Prokurori t`i përgjigjet kësaj pyetjeje. Ekzitojnë interpretime të ndryshme, duke marrë parasysh atë që thashë se Fronti Demokratik nuk e përkrah këtë qeveri. Qëllimi i tyre është Regjistrimi i Popullsisë, ata janë duke e duruar Dritan Abazoviqin, për shkak se këtë skenar e kemi parë në Budvë, ai u duhet vetëm për shkak të një vote për shumicën. Sapo të përfundojë regjistrimi, unë mendoj se do të shtrohet çështja e besimit të Qeverisë, për të cilën ditëve të fundit flet edhe Nebojsha Medojeviq, një nga partnerët e Frontit Demokratik, i cili paralajmëron se mund ta tërheq përkrahjen për këtë qeveri. Ka disa analistë që këtë e thonë edhe pse Kryeministri Krivokapiq thotë se do ta përfundojnë mandatin. Të them të drejtën, nuk e di…
I dini rrethanat në ish-Jugosllavi. Në Beograd flitet gjithnjë e më shumë për të ashtuquajturën “hapësirë serbe”, por desha t’ju pyes se si e shihni mundësinë e zgjidhjes së kontestit Kosovë
Nikçeviq: Në Serbi tashmë një kohë po flitet për të ashtuquajturën “botë serbe”, që sipas meje është një zëvendësim për projektin fashist që quhet Serbi e Madhe. Serbia e Madhe tashmë nuk quhet kështu. I pamë pasojat, jetët e shkatëruara, personat e zhvendosur dhe gjërat tjera për realizimin e këtij projekti fashist. Presidenti Vuçiq po tenton që të gjejë një shprehje tjetër për këtë dhe tani po flasim për botën serbe. Natyrisht, se kjo e nënkupton edhe Malin e Zi serb, Bosnjën serbe dhe të ashtuquajturat vendet serbe, e dini për çka flas. Mendoj se presidenti serb mori mbështetje të madhe nga bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash të Gjermanisë, për shkak të premtimit se përfundimisht do ta zgjidh të ashtuquajturën çështje e Kosovës. Jetoj në Beograd dhe e di se ç`po ndodh. Milionë skandalet nga një korrupsion jo i zakonshëm deri në frikësimin e gazetarëve, ngulfatjen e lirisë së mediave dhe shumë rasteve tjera korruptive që kanë ndodhur, të gjitha këto ngjarje janë vënë në plan të dytë. Bashkësia Ndërkombëtare ka mbyllur sytë para shumëçkaje që ështëskandaloze, shkeljes së të drejtave të njeriut, duke shpresuar se Aleksandar Vuçiqi do ta mbajë premtimin e tij dhe do ta zgjidh çështjen e Kosovë. Mirëpo, ai objektivisht është midis çarjes së të ashtuquajturës politikë mbi ‘katër shtylla’ ai mbindërtoi politikën e ish-Presidentit Boris Tadiq, duke u mbështetuar në ato ‘katër shtylla’, duke u përpjekur të balancojë mes Rusisë dhe Perëndimit. Sa di unë, duke lexuar shtypin dhe duke iu referuar disa analistëve rusë dhe medias ruse, Moska shumë pak i beson dhe Moska frikësohet se duke zgjidhur çështjen e Kosovës, ai definitivisht do t`i kthehet perëndimit. Unë nuk besoj se kjo do të ndodhë. Ju e patë vitin e kaluar se në bashkëpunim me Ambasadorin Grenell, Vuçiqi u përpoq të ndajë Kosovën dhe kishte lobistë shumë të fuqishëm nga Perëndimi rreth kësaj çështjeje. Mendoj se fitorja e Presidentit Bajden ia ka prishur hesapet edhe atij, por edhe shumë të tjerëve, dhe nuk e di se se kjo në fund do të zgjidhet, por mendoj se lajmi i mirë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor është fitorja e Presidentit Bajden në zgjedhjet në SHBA.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e KDP
*Shënim: Hashtag.al ka nisur një bashkëpunim mediatik ndërshqiptar me medien Kdpolitik.com me qendër në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i përvojave dhe i shkrimeve për një këndvështrim ndryshe të çështjeve që prekin e shqetësojnë shqiptarët.