Ndërsa vetëm tre muaj na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duket se mes televizioneve shqiptare ka nisur gara për sondazhet.
Televizione si Top Channel, Ora News, Syri TV dhe Report TV dhe ABC News kanë angazhuar kompani të ndryshme për realizimin e sondazheve, për të parashikuar se cila do të jetë logoja që do marrë më shumë vota më 25 prill. E duket se rezultatet e asnjërit nuk ngjajnë me tjetrin. Diku del Edi Rama fitues, e diku tjetër Lulzim Basha.
Report TV dhe Piepoli
Në dhjetor, Report TV publikoi të parin sondazh për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, të realizuar nga vetë televizioni në bashkëpunim me Institutin Italian Piepoli.
Sondazhi në fjalë që u transmetua gjatë emisionit “Repolitix” nxjerr Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama fitues në zgjedhje. Dhe me një fitore të thellë madje.
Të pyetur se për kë do të votonin, 53- 59% e të anketuarve janë përgjigjur se do të votonin Partinë Socialiste.
PD rezulton të ketë një rritje të lehtë pasi sipas sondazhit pritet të marrë 30-34% të votave, ndërkohë LSI parashikohet me rënie, duke marrë vetëm 2-4% të votave.
Ora News me Antony Notto
Televizioni “Ora News” vijon bashkëpunimin me Antony Notto dhe IPR Marketing. Mbrëmjen e kaluar, Antoni Notto publikoi në emisionin “Tempora” një sondazh për zgjedhjet e ardhshme.
Nga të dhënat për sondazhin kombëtar vihet re një rënie e PS-së, LSI-së dhe PDIU-së, ndërsa ka një rritje Partia Demokratike.
Por sa të sakta i kanë rezultuar parashikimet Nottos më parë?
Në sondazhin e publikuar para zgjedhjeve në vitin 2017-ën, IPR Marketing e Nottos parashikonte se PS-ja do të fitonte zgjedhjet me 43%. Ndërkohë PD rezultonte se do merrte 36% të votave, e LSI 12%.
Marzhi i gabimit të tij thuhej se ishte plus-minus 2.5%. Ky ishte vetëm një sondazh i parë, kur fushata elektorale sapo ka filluar. Të tjera sondazhe u publikuan më vonë.
Ndërkohë rezultatet e zgjedhjeve dolën: PS 48.34%, PD 28.85% dhe LSI 14.28%.
Syri TV dhe Flame Tree Advisors
Pak ditë më parë Syri Tv publikoi një sondazh të kryer nga kompania ‘Flame Tree Advisors’, ku ishin marrë në intervistë 4 mijë qytetarë.
Sipas sondazhit në fjalë, 52 përqind e të anketuarve shikojnë Lulzim Bashën si kryeministër ndërsa 38 përqind shikojnë Edi Ramën.
Shqiptarët sipas këtij sondazhi e shohin një fitore të Ramës si dekurajuese për të ardhmen e vendit, ndërsa kërkojnë ndryshimin në një masë prej 57 për qind të tyre. Rezultatet e këtij sondazhi kishin një marzh gabimi prej plus minus katër për qind.
Top Channel dhe IPSOS
Ndërkohë televizioni Top Channel ka bërë me dije pak ditë më parë ka lidhur një kontratë me kompaninë e njohur të sondazheve IPSOS, që ka mbuluar edhe zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara.
Drejtori i Përgjithshëm i kërkimeve elektorale, Oliviero Marchese, tha në një emision se kërkimet e tij do bazohen në rreth 10 mijë intervista.
“Çdo sondazh do ketë 1500 intervista, do shpërndahen në tërësinë e qarqeve, jo në çdo qark do kemi intervista të mjaftueshme, por në tërësi do ketë.”– tha ai. Marchese tha se do ketë një marzh gabimi 3 përqind nga rezultati real. Ende nuk kemi një sondazh të bërë publik për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri nga kjo kompani.
ABC News dhe GCKG
Një muaj më parë televizioni ABC News transmetoi për disa ditë me radhë një spot publicitar ku njoftonte me datë 28 dhjetor do të publikonte sondazhin e tij të parë në bashkëpunim me kompaninë izraelite Geo Cartography Knowledge Group.
Në spot lajmërohej se do të publikoheshin 5 sondazhe mujore si dhe një exit poll natën e zgjedhjeve. Mirëpo më 28 dhjetor nuk u transmetua asnjë sondazh dhe spoti publicitar u zhduk nga faqja online e këtij televizioni.
Lidhur me këtë ka reaguar ish-deputeti demokrat Aldo Bumçi, i cili ka akuzuar se arsyeja se përse sondazhi i ABC News-it nuk është publikuar, është se kryeministri Rama nuk e ka lejuar një gjë të tillë.
Kjo sepse sipas tij, opozita dilte me 75 mandate.
“Në atë sondazh që mund ta ndalonte vetëm Edi Rama që kërcënon pronarë, opozita rezultonte me 75 mandate. Kjo është arsyeja që Rama e ndaloi atë sondazh.”– shprehej Bumçi. Megjithatë nuk kemi ende një shpjegim zyrtar nga ana e televizionit lidhur me anulimin e këtij sondazhi, apo nëse është vendosur që rezultatet të publikohen në një kohë më të vonë./ Hashtag.al