QSUT ka dhënë disa informacione zyrtare, lidhur me gjendjen shëndetësore të nxënëseve të një shkolle private që u helmuan nga rrjedhja e gazit këtë mëngjes.
Sipas QSUT-së, tre prej vajzave ndodhen në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme dhe 3 të tjetra në Urgjencën e Pediatrisë. Ato janë intoksikuar por janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Lidhur me gjendjen shëndetësore të nxënësve të intosikuar në një shkollë dhe që janë paraqitur ne QSUT:
Paraditen e sotme, pranë Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme janë paraqitur me ambulancë 3 pacientë të ekspozuar nga gaze, të moshës rreth 15 vjeç.
Tre pacientë të moshës 12-14 vjeç intosikuar janë paraqitur me ambulancë pranë Urgjencës Pediatrike.
Mjeku toksikolog ka kryer konsultën mjekësore dhe ka konstatuar që janë koshiente, paraqesin simptoma të lehta të intoksikacionit si dhimbje koke, të përzjera dhe pak ansioze. Pacientët janë me paramentra stabël, jashtë rrezikut për jetën dhe janë shtruar në pavion për monitorim.”– thuhet në njoftimin e QSUT-së.
Vajzat e shkollës ““Albanian Qatar College” u helmuan pas një rrjedhje gazi, që dyshohet se bëhet fjalë për gaz të lëngshëm ‘propan butan’, që përdoret kryesisht për sistemet e ngrohjes.