Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar lidhur me një raport të fundit të Eurostat-it, duke ngritur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, se ka shkatërruar ekonominë dhe ka detyruar të rinjtë të ikin nga vendi.
Basha shkruan se ka ardhur koha të largojmë Ramën dhe të sjellim shpresë dhe zhvillim për vendin.
“Eurostat e renditi Shqipërinë në vendin e gjashtë në botë për emigracionin masiv. Për 8 vjet me dështimet e tij, Rama e shkatërroi ekonominë dhe i detyroi të rinjtë tanë të ikin. Për shkak të dështimeve të Ramës, situata ekonomike është sot më e keqja në rajon.
Ne shqiptarët jemi të suksesshëm kudo në botë – ndaj nuk ka asnjë arsye pse të mos kemi sukses këtu në vendin tonë! Ka ardhur koha për ndryshim. Ka ardhur koha të largojmë Ramën dhe të sjellim shpresë dhe zhvillim për vendin tonë!”, shkruan Basha.
Në raportin e EUROSTAT, Shqipëria renditet në vendin e gjashtë në botë për emigracionin masiv pasi janë dhënë deri në fund të vitit 2019 rreth 868 mijë leje qëndrimi.
Përveçse renditet e gjashta në botë për numrin e lejeve të qëndrimit që janë dhënë për shtetasit e saj, Shqipëria e vogël, me vetëm 2.85 milionë banorë, renditet e para në botë për lejet e qëndrimit, në raport me popullsinë e saj.
Sipas të dhënave të Eurostat, për shtetasit shqiptarë, vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë per Shqipërinë 304 mijë leje qëndrimi për 1 milion banorë, që është 4 herë më e lartë sesa shteti i dytë pas nesh, Serbia.