Nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi marrëveshja mes Shqipërisë e Serbisë për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve të vendeve respektive vetëm me kartë identiteti.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, qytetarët e vendeve respektive mund të kalojnë kufirin duke paraqitur pasaportë, pasaportë diplomatike, pasaportë shërbimi ose kartë identiteti biometrike.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se që prej datës 20 janar 2021, ka hyrë në fuqi marrëveshja ndryshuese ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve. Tashmë, për të gjithë qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Serbisë do të cilësohen si të vlefshme këto dokumente: pasaportë, pasaportë diplomatike, pasaportë shërbimi, një dokument udhëtimi për hyrje (kthim) në Republikën e Shqipërisë, kartë identiteti biometrike. Ndërsa për shtetasit serbë që do të kalojnë kufirin shqiptar do të cilësohen të vlefshme këto dokumente: pasaportë, pasaportë diplomatike, pasaportë shërbimi, leje kalimi, kartë identiteti biometrike. Serbia bëhet kështu vendi i pestë (pas Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje Hercegovinës) ku qytetarët shqiptarë mund të lëvizin lirshëm vetëm duke paraqitur një kartë identiteti biometrike.” – thuhet në njoftimin e ministrisë.