Këtë paradite ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka zhvilluar një video-konferencë me ambasadorët e vendeve të BE-së. Siç bën me dije vetë Xhaçka, Ata kanë diskutuar për negociatat dhe uljen në Konferencën e Parë Ndërqeveritare gjatë 2021.
Ministrja shqiptare shprehet se Shqipëria i ka përmbushur kushtet dhe shpreson që BE-ja t’i qëndrojë fjalës së dhënë, për të caktuar një datë për konferencën e parë ndërqeveritare.
Ajo shprehet se ky vit është vendimtar për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
“Zhvillova një video- konferencë me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së. Mirënjohje ndaj Amasadorit Soreca për punën e tij të mirë dhe për organizimin e mbledhjes, ku shkëmbyem pikëpamjet tona rreth këtij viti vendimtar për të ardhmen evropiane të Shqipërisë🇦🇱. Falënderova ambasadorët për gatishmërinë dhe vullnetin e tyre të mirë për një bashkëpunim të frytshëm.
E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në BE. Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet. Mbetemi optimistë që BE do t’i qëndrojë fjalës së saj duke arritur në një kompromis për kornizën negociuese dhe duke caktuar një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare gjatë 2021.”– shkruan ministrja Xhaçka.