Gazetari dhe botuesi Carlo Bolino, ka sulmuar gazetarin tjetër Artan Hoxha, lidhur me një videokasetë të xhiruar në protestën e 21 janarit të vitit 2011.
Në një intervistë me gazetarin e “Report TV” Denis Minga, Bollino tha se Hoxha kishte marrë nga redaksia kasetën që do ndryshonte historinë e 21 janarit dhe që sipas tij do të rrëzonte pretendimet e kryeministrit të asaj kohe, Sali Berishës për ngjarjen.
Në kohën kur Bollino drejtonte televizionin “News 24” thotë se kishin vënë re sëbashku me bashkëshorten e tij Alba, një detaj në një video të transmetuar nga “TV Klan” mbi ngjarjen që dukej qartë që “kishte një shkëputje” nga momenti i vrasjes së protestuesve.
Ai thotë se morën vendimin për të kërkuar kasetën për të parë klipin e plotë, e më pas për ta transmetuar unë kur zbuluan se e kishte marrë një gazetar në xhep.
“Po kush e ka? Ky ishte misteri i parë. Kaseta ishte marrë nga një kameraman i televizionit dhe ishte futur në xhep të një gazetari që në vend që ta sillte në redaksi për ta transmetuar urgjent siç ishte detyra e tij, e kishte futur në xhep duke mos komunikuar fare as me drejtuesit as me redaktorët: ose nuk e dinte se çfarë kishte regjistruar, se mund të ndodhë shpesh që kameramanët e lënë ndezur kamerën dhe pastaj rrinë edhe larg nga kamera, dhe ndoshta edhe gazetari nuk e kishte marrë vesh. Ose ndoshta… unë nuk e di, nuk dua të dyshoj, megithatë këto pamje kaq të rëndësishme nuk ishin në dispozicion të redaksisë ku duhet të ndodheshin, por ishin në xhep të një gazetari. Kemi kërkuar ku ndodhet gazetari dhe kameramani: kështu kemi gjetur kasetën, e kemi parë dhe kemi zbuluar më në fund që në kasetë që ishte harruar brenda një xhepi të një gazetari kishte pamje tronditëse, ato pamje të plota që tregonin tamam ngjarjen.”- thotë Bollino, i cili më vonë gjatë tregimit të tij, përmend emrin e Artan Hoxhës.
Ai shprehet se me ndërhyrjen e tij, klipi më pas është transmetuar.
“Nga momenti që ne kemi kuptuar që kishim në dorë ato pamje që rrëzonin teorinë konspirative të Berishës dhe Bashës, kemi dhënë urdhër nga Bari, urgjentisht shkoni në studio, transmetoni dhe komentoni pamjet! Gazetari Artan Hoxha që kishte në xhep atë kasetë të televizionit (dhe ndodhej në redaksi duke montuar një seri të emisionit të tij, Xhungël) ka shkuar në studio duke komentuar. Ai kishte meritën që njihte gardistët në fytyrë, ai i ka identifikuar me emër një nga gardistët, ndërsa gazetarja e turnit që ishte Ola Bruko e ka komentuar bashkë me të ngjarjen.”- thotë Bollino.