Një investigim i autoriteteve italiane mbi aktivitetin kriminal të grupit mafioz Ndragheta ka zbuluar edhe lidhje të trinomit politikë-biznes-mafie.
Madje tentakulat e Ndraghetas dalin edhe përtej Adriatikut, në Shqipëri.
Jo për lidhje me mafiozë shqiptarë apo grupe kriminale që veprojnë në Shqipëri por për investime dhe fitime tenderash publike apo lidhje me politikanë.
Më herët u publikuan përgjimet që një shqiptar pjesë e grupit mafioz italian do krijonte lidhjet për të siguruar tendera nga kryetari i Bashkisë Tiranë ndërsa tani media italiane zbulon se në këto përgjime kërkohen lidhje edhe me ministra shqiptarë.
Kjo gjë përmendet gjatë një darke të përgjuar nga auotritetet italiane.
Darka zhvillohet në një restorant në Romë ku në tavolinë është edhe Franco Talarico që mbante detyrën e sekretarit rajonal të UDC dhe që aktualisht është lënë në arrest shtëpie. Është ky që duket se ka ndërmjetësuar për takimin mes sipërmarrësit Gallo dhe eurodeputetit Cesa për të folur për shtrirjen e bizneseve ku një pjesë të rëndësishme të bisedës e zë pikërisht Shqipëria.
“Dëshira e mafiozëve kalabrezë ishte që të përfitonin nga pozicioni i eurodeputetit Lorezno Cesa në Parlamentin Evropian për të fituar akses në organet publike, për të lidhur kontrata, si dhe për të investuar në Shqipëri apo edhe në vende të tjera të Evropën Lindore” – thuhet në dosjen e antimafias.
Një takim është zhvilluar më 7 korrik 2017 në restorantin Tullio, në qendër të Romës. Të pranishëm janë biznesmeni Antonio Gallo, sekretari Franco Talarico dhe Tommaso Brutto, ish-këshilltar komunal i Catanzaros dhe djali i tij Saverio.
Transkriptet e përgjimeve telefonike
Më 28 qershor 2017, disa ditë para drekës, Brutto kishte diskutuar me Talarico në telefon për të rregulluar takimin. Të gjitha bisedat janë të përgjuara.
Brutto: Ne duhet të flasim me Cesa, unë kam për të zgjidhur problemin e djalit tim dhe duhet ta vendosim atë në plan. Përveç kësaj ne duhet të mbajmë një parti, ne duhet të mbajmë një sekretariat…
Talarico: Po Antonio (Gallo) si po shkon në Shqipëri?
Brutto: Ne bëmë atë, sidoqoftë Franco, nuk e di si po shkon, si nuk po shkon.
Nga biseda që bëhet mes tyre kuptohet se ata duhet të organizonin një takim mes deputetit Cesa dhe biznesmenit Gallo.
Brutto: Sapo ne ta prezantojmë Antonion (Gallo) me kontaktin ai di si të sillet.
Talarico: ...por ndërkohë perspektiva politike… se unë kam qenë këshilltar i qytetit për 20 vjet. Tani kam marrë 5%. E gjithë lista është pranë meje.
Talarico: Cesa do ta prezantojë me një mik, këshilltar i Gallos, por edhe enteve të ndryshme, Eni Telecom, Anas dhe i gjithë grup që e ndjek.
Të dy duan edhe kontakte jashtë vendit për sipërmarrësin Gallo.
Brutto: Lorenzo Cesa mund të ketë kontakte edhe me politikanë në Shqipëri, ku është i njohur. Është i rëndësishëm, është një gjë nëse Cesa të krijon një kontakt në Shqipëri. Atje nuk është si këtu. Një ministër atje hoqi dorë prej tij.
Talarico: Uh… korrupsioni total… tregu i lirë po, por ata kanë një kontratë… kur i shkon me 100 mijë… këto janë tuajat. Është vërtet e ligjshme. Për shembull, nëse mund të futemi në spitale… sepse ne gjithashtu furnizojmë kominoshe, doreza dhe maska, gjithçka që lidhet me spitalet.
Pas daljes së këtyre përgjimeve deputeti italian Lorenzo Cesa nuk humbi kohë dhe ka dhënë dorëheqjen. Ai tha se e konsideronte veten të pa lidhur me këto afera dhe se prokuroria duhet që ta zbardhë sa më shpejt ngjarjen.