Pesë njerëz kanë humbur jetën në një zjarr që ka rënë në godinën e kompanisë më të madhe të vaksinave në botë, në Indinë perëndimore.
Zjarri filloi në një ndërtesë e cila ishte ende në ndërtim e sipër në mjediset e Institutit Serum të Indisë të enjten pasdite, shkruan BBC.
Pamjet treguan shtëllunga të trasha tymi që dilnin nga një ndërtesë e kompanisë.
Kompania tha që prodhimi i vaksinave nuk do të preket nga zjarri, shkaku i të cilit nuk dihet ende.
Zjarri më vonë u vu nën kontroll, por kryetari i bashkisë së qytetit konfirmoi se pesë njerëz kishin vdekur.
“Sapo kemi marrë disa azhurnime shqetësuese; me hetime të mëtejshme kemi mësuar se fatkeqësisht ka pasur humbje të jetës në këtë incident.”- tha CEO-ja i Institutit Serum, Adar Poonawalla.
“Ne jemi shumë të pikëlluar dhe u shprehim ngushëllimet më të thella familjarëve të të ndjerëve.”– vazhdon ai.
Poonawalla tha se nuk do të kishte asnjë ndikim në prodhimin e vaksinës së Oxfordit dhe AstraZeneca-s.
Vaksina e Oxfordit që në Indi quhet Covidshield është një nga dy vaksinat e miratuara nga qeveria indiane për përdorim emergjent.
Vendi synon të vaksinojë 300 milion njerëz deri në fillim të gushtit. Shumë vende të tjera me të ardhura të ulëta dhe të mesme varen gjithashtu nga Instituti i Serumit për prodhimin e vaksinës Oxford-AstraZeneca.